Kryetari i bashkisë së Dnipro, një qytet në Ukrainën lindore, u ka kërkuar grave, fëmijëve dhe të moshuarve të enjten të largohen sepse luftimet me Rusinë pritet të intensifikohen në rajonet lindore, raporton Reuters. “Të gjithë ata që kanë aftësinë, siç e thashë tashmë, duhet të largohen. Këtu përfshihen gratë, fëmijët, të moshuarit, ata që nuk janë… të integruar drejtpërdrejt në ekonomi”, bëri thirrje Borys Filatov.

Dnipro, që zakonisht ka një popullsi prej gati një milion banorësh, deri më tani është kursyer nga luftimet e ashpra që kanë shkatërruar qytete më në lindje dhe në jug, si Mariupol.

Paralajmërimet e Filatov pasojnë thirrje të ngjashme nga autoritetet në rajonin e Luhansk, në lindje të Dnipro. Të mërkurën, guvernatori rajonal i Luhansk u kërkoi të gjithë banorëve që të evakuohen.