Kryeministri Rama mori pjesë sot në projektin e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, të quajtura “Shqipëria mikpret botën”, ku do të vijnë në evente të ndryshme kulturore 18 vende të ndryshme. Shqipëria do të organizojë gjatë gjithë vitit parade ndërkombëtare në bashkëpunim me këto 18 vende të botës në kryeqytet dhe në qytete të tjera si Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Vlorë.

Në fjalën e tij, Kryeministri tha se ky program do të sjellë në hapësirat e vendit tonë, hapësira artistike dhe kulturore, artistë, njerëz të fushave të ndryshme, por edhe tradita të të festuarit, të gatimeve, në Tiranë dhe në qytete e fshatra të Shqipërisë. Rama theksoi se ky program do t’u jape mundësinë të gjitha moshave të shijojnë aktivitete të ndryshme.

“E natyrisht në këtë program ka shumë rëndësi krijimi i sa më shumë urave të njohjes, të eksperiencave të ndryshme dhe urave të bashkëpunimit.

Qëllimi nuk është të zhvillojmë aktivitete që fillojnë dhe mbarojnë por të krijojmë mundësi dhe shanse për krijuesit, aktivistët tanë socialë, njerëzit tanë në të gjithë ato fusha që prek ky program që pastaj të vijojnë me bashkëpunimet e tyre.

A-ja e këtij bashkëpunimi është bashkëpunimi mes nesh, qeverisë, Ministrisë së Kulturës dhe përfaqësive diplomatike këtu në Shqipëri, që janë pararoja e gjithë kësaj pune të madhe. Jam i bindur që hap pas hapi do të ndizet edhe zjarr i konkurrencës mes përfaqësive këtu, për të bërë sa më shumë prezentë vendin e tyre e për të sjellë sa më shumë larmi në javët e kulturës.

Programi synon të kthehet në traditë dhe do të kenë kalendarin e tyre, që ta dijnë të gjithë banorët. Kalendari prek vendet e Europës dhe jashtë saj, vende në hartën e marrëdhënieve tona diplomatike dhe të gjitha vendet që duan të marrin pjesë. Ky është fillimi i një aventure të re kulturore, hapësire të re kulture, ndërveprimi, dialogu, njohjeje, afrimi dhe një numri gjithnjë e më të madh urash ndërveprimi” theksoi Kryeministri Rama.

Duke falenderuar të gjithë ambasadorët, Rama bëri thirrje edhe për të tjerë të bëhen pjesë e këtyre eventeve. Në mbyllje, Kryeministri Rama uroi edhe Presidentin Makron për fitoren në zgjedhjet presidenciale të Francës.