Kryeministri Edi Rama ka zbardhur çfarë do të ndodhë në Kongresin e së shtunës së Partisë Socialiste. Rama tha se Kongresi i PS këtë herë do të jetë krejt ndryshe nga herët e tjera nga pikëpamja e organizimit dhe se do ketë një numër panelesh të shtrira jashtë sallës së Kongreseve, qoftë në pjesën përpara saj, qoftë në Bulevard, apo tek sheshi Nënë Tereza dhe Sheshi Italia.

“Këtë format e gjykuam më të arsyeshëm duke pasur parasysh që pas pak ditësh do të mblidhemi në Kongresin e PS-së dhe nuk e pamë të udhës të angazhonim 2 herë brenda 2-3 ditësh të gjithë ju për të bërë lëvizje dhe për të kaluar një pjesë të madhe të kohës këtu në Tiranë. Nga ana tjetër sigurisht që ky format besoj që është dhe shumë i favorshëm dhe sa i përket mundësisë që secili të japë kontributin e tyre. Njëri prej sesioneve do jetë i dedikuar për diskutimin brenda anëtarësisë së Kongresit. Kongresi këtë herë do të jetë krejt ndryshe nga herët e tjera nga pikëpamja e organizimit pasi do të jetë një Kongres në pjesën e parë i hapur për grupet e interesit, për faktorë shoqërorë të ftuar, apo që do të dëshirojnë të na bashkohen në një numër panelesh të shtrira jashtë sallës së Kongreseve, qoftë në pjesën përpara saj, qoftë në bulevard, qoftë tek sheshi Nënë Tereza, qoftë tek Sheshi Italia, ku do t’i kushtohemi disa temave që në diskutimet tona në kryesinë e partisë i kemi identifikuar si tema të një rëndësie të dorës së parë në këtë moment, por edhe në perspektivën e këtij mandati të tretë. Duke filluar nga tema e politikës së jashtme, Shqipëria-rajoni, natyrisht marrëdhëniet tona me Europën, tek tema e energjisë që sot ka një rëndësi dhe të më të veçantë, së bashku e mjedisin dhe lëvizshmërinë, pra me transportet, tek tema tjetër e shëndetit dhe e mirëqenies shoqërore dhe tek tema e rinisë dhe inovacionit. Janë këto panele që do të moderohen nga anëtarë të Kryesisë së PS-së së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar, po ku do të jenë të ftuar të marrin pjesë në mënyrë aktive edhe të ftuar të tjerë sipas fushave”, deklaroi Rama.