Rusia e ka mbuluar me mister fatin e një pjese të ekuipazhit të kryqëzorit të saj të fundosur Moskva. Krenaria e flotës ruse dergjet në fund të detit, por Kremlini nuk e pranon publikisht dështimin dhe goditjen e thellë që mori me shkatërrimin e saj, por pretendon se gjithçka ishte pasojë e një zjarr në bord pranë municioneve, ndërsa përpiqet të mbulojë edhe të vërtetën mbi një pjesë të ekuipazhit të zhdukur të luftanijes.
Familjarët e këtyre të rinjve, janë të zemëruar dhe kërkojnë të dinë të vërtetën. Dmitry Shkrebets nuk ka me shpresa të gjejë të gjallë djalin e tij 20-vjeçar. Yegor Shkrebets ishte kuzhinier në bordin e luftanijes Moskva, që lundronte në ujërat e Detit të Zi, kur u raportua se u godit nga dy raketa Neptune të Ukrainës më 13 prill. Dmitry së bashku me gruan e tij, Irina, kanë shkuar në spitalin e Sevastopolit për të kërkuar trupin e djalit të tyre.
Ata panë afër 200 djem të rinj, me plagë të djegieve, por nuk e gjetën djalin e tyre, tha Irina. “Ne kontrolluam çdo fëmijë të djegur. Nuk mund t’ju tregoj se sa e vështirë është, por unë nuk e gjeta djalin tim. Kishte vetëm 200 persona aty, ndërkaq në anije ishin mbi 500 vetë. Ku janë të tjerët?”, shtoi ajo në një intervistë për “The Insider”.
Shkrebets është një prej të paktën katër marinsave që nga Rusia konsiderohen të zhdukur apo të vdekur, bazuar në postimet në rrjetet sociale të anëtarëve të familjeve të pjesëtarëve të ekuipazhit. Varvara Vakhrusheva shkroi në rrjetet sociale se burri i saj, Ivan Vakhrushev, ishte vrarë në këtë incident. Komandanti i Përgjithshëm i Marinës ruse, admirali Nikolai Yevmenov, u takua me ekuipazhin e luftanijes Moskva në portin e Sevastopolit më 16 prill. Në një video të postuar në rrjetet sociale nga ky takim, shfaqen dy rreshta me marinsa, në total prej afër 100 personash.
Ende është e paqartë nëse edhe 400 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit të luftanijes Moskva janë të plagosur apo të vdekur.