Kukësi-Laçi, i quajtur ndryshe edhe si derbi i veriut, për rivalitetin mes tyre por dhe luftën për vendin e dytë në përballjen e drejtpërdrejtë për Europën mes dy skuadrave që ndodhen menjëherë pas Tiranës në renditjen e përgjithshme, do të inaugurojë sot stadiumin e ri të Kukësit, i cili është vendosur të quhet “Kukës Arena”.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamjet e stadiumit të ri të përfunduar një investim ky për skuadrën verilindore që pritet të kthehet më në fund në shtëpinë e saj pas disa vitesh ‘shtegtim’ nëpër stadiumet e skuadrave të tjera.
“Mirëmëngjes! Me Stadiumin e Ri të Kukësit që sot pret sportdashësit për lojën e parë në fushën e rilindur, pasqyrë e fjalës së mbajtur, si edhe e respektit të vërtetë për komunitetin kuksian, ju uroj një fundjavë të bukur,” shkruan Kryeministri në “Facebook”.
“Kukës Arena” është një impiant modern sipas gjitha standarteve europiane dhe për herë të parë skuadra e Kukësit do të ketë fatin në zhvillojë ndeshjet edhe gjatë natës me ndriçim teksa në këtë stadium do të presë edhe ndeshjet në Kupat e Europës.
Kukësi do të kërkojë sot ta nisë me këmbën e mbarë ndeshjen e parë në shtëpinë e re, por dhe të thyejë tersin ndaj Laçit, një kundërshtari që këtë edicion nuk ka arritur që ta mundë në asnjë nga tre takimet që ka zhvilluar këtë edicion.
Kjo ndeshje tashmë ka një rëndësi të veçantë për të dy ekipet që tani do të duelojnë për vendin e dytë të renditjes.