Pas ofertës prej $44 miliardë dollarësh nga Elon Musk, rrjeti social më i përdorur nga politikanët amerikanë dhe jo vetëm – u kthye në pronën private dhe sipërmarrjen më të re të njeriut më të pasur në botë.

Çuditërisht Elon Musk nuk është i vetmi mega-miliarder i cili kërkon të shtrijë ndikimin e tij duke blerë një media.

Në vitin 2013, konkurrenti i kryesor i Musk dhe themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, bleu një tjetër gjigand të medias, të famshmen – The Washington Post.

Interesi i miliarderëve për pushtetin e katërt, sidomos në epokën e informacionit, nuk mund të mos përbëjë një arsye për të dyshuar.

Në këtë moment, pak dihet rreth ndryshimeve që do të pësojë Twitter pas blerjes nga Musk.

Por nëse i hedhim një sy komenteve që ai ka bërë kohët e fundit, ato nuk shprehin konsideratën më të lartë për këtë rrjet social.

Musk ka kritikuar shpesh këtë platformë rreth atyre që sipas tij janë praktika censuruese që e bllokojnë lirinë e shprehjes, dhe që prej blerjes së Twitter, ai është zotuar që do ta kthejë atë në “platformën kryesore të fjalës së lirë në të gjithë globin”.

Sigurisht njerëzit janë të ndarë.

Pro dhe kundër

Ata që e shohin këtë lëvizje si diçka pozitive, kanë shpresën që suksesi i Musk në kompanitë e tij të mëparshme do të mund të reflektohet tek Twitter– duke bërë që ai të kthehet në një lider në botën e teknologjisë dhe medias.

Por, janë të shumtë ata që mendojnë se privatizimi i Twitter është diçka negative për demokracinë në përgjithësi.

Ekspertët e sigurisë mendojnë se lufta kundër dezinformimit duhet të kthehet në një fokus kyç për sa i përket rrjeteve sociale në vitet në vazhdim.

Por nëse shohim se sa shumë Musk mund të përfitojë nga kjo blerje e re, mundësia se ai mund ta keqpërdorë pushtetin e tij bëhet gjithnjë e më reale.

Sipas Bloomberg në vitin 2020, Twitter kishte njoftuar se do të niste një fushatë të re, që do t’i detyronte disa llogari kineze të kontrolluara nga partia komuniste që të vendosnin etiketimin “media e lidhur me qeverinë”.

Por nëse marrim parasysh faktin se tregu kinez është një lojtar kyç për kompaninë Tesla, sa probabilitet ka që kjo të ndodhë nëse vetë Presdienti Xi Jipnping i kërkon Musk mos ta bëjë këtë?

Pse e bleu Elon Musk Twitter?

Një nga kritikët e Musk nga The New Yorker, Kyle Chayka, pretendon se blerja e Twitter prej tij është vetëm një përpjekje për të shtrirë influencën mbi miliona njerëz në të gjithë globin, pa iu dashur të haset me asnjë lloj rezistence të jashtme.

Sipas tij, kritikat e Musk në të shkuarën ndaj Jeff Bezos dhe Marc Benioff, kur këta njerëz të biznesit vendosën të blejnë platforma mediatike – respektivisht The Washington Post dhe Time magazine – nuk kanë si të mos duken hipokrite.

Por ka edhe një problem tjetër.

Profilet e rreme

Rreth 50% të ndjekësve të Elon Musk, Bill Gates dhe biznesmenëve të tjerë në Twitter janë profile fallco.

Një studim i ri rreth ndjekësve në rrjetet sociale të disa prej njerëzve më të pasur dhe më me influencë në botë, ka treguar se rreth gjysma e ndjekësve të tyre në Twitter janë llogari të rreme.

Vitin e shkuar, revista prestigjioze e biznesit Forbes, raportoi rreth shkallës së vërtetë të këtij “falsiteti”.

Studimi tregoi se nga rreth 60 milionë llogaritë që e ndjekin CEO-n e Teslas, 28 milionë ishin llogari të rreme.

Dhe ky nuk është problemi i vetëm.

Musk njihet si një përdorues shumë aktiv në Twitter.

Deklaratat e tij kanë bërë shpesh që vlera e aksioneve të një kompanie të ngrihet ose të ulet brenda ditës – dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe me kriptovaluta të ndryshme si dhe vetë Bitcoin.

Nuk ka dyshim që ai është një njeri më një influencë të jashtëzakonshme dhe Musk e ka përdorur këtë platformë, dhe llogaritë e rreme të njohura ndryshe si “ushtri robotësh” apo Twitter bots, për të manipuluar opinionin publik rreth ecurisë së kompanive të tij, gjë që ka ndikuar drejtë për së drejti mbi tregun e bursës dhe vlerën e aksioneve të ndryshme.

Dhe të gjitha këto kanë ndodhur përpara se Musk të blinte Twitter.

Sipas një raporti tjetër të Los Angeles Times, Elon Musk është akuzuar se ka ndërhyrë në tregun e bursës duke përdorur profile të rreme për të manipuluar vlerën e aksioneve të Teslas.

Sipas këtij raporti, këto bote apo llogari të rreme dërguan mbi 30,000 postime në Twitter, duke shprehur opinione pozitive mbi investimin e tyre në Tesla, për 7 vite me radhë.

Sipas këtij studimi, gjatë një periudhe 10-vjeçarë, nga rreth 1.4 milionë postime në Twitter nga 400 llogaritë kryesore që postuan për Tesla-n, 10% ishin prodhuar nga llogari të rreme.

Pyetjet që ngrihen në këto raste janë të natyrës ligjore po aq sa edhe asaj etike.

A duhen këta biznesmenë dhe kompanitë e tyre të lejohen të përdorin llogari të rreme për të avancuar një lloj narrative propagandistike vetëm për të arritur përfitime personale?