Nga Artur Ajazi
Duke parë ngjarjet e fundit në skenën politike, dhe duke menduar se “Edi Rama kurrë nuk humbet kohë me cinglaminga”, kurioziteti i madh popullor dhe jo vetëm, është si do të jetë viti elektoral 2025. Si do të jenë ballancat politike, a do të ketë ndryshime, arrnime, largime dhe afrime partish.Kjo në fakt ka rritur interesimin e shqiptarëve (edhe pse në kohë krize ekonomike) pasi shohin se si Partia Socialiste rritet, forcohet, rinovohet, dhe shton bilancet e saj pozitive edhe në kohë krizash, dhe Partia Demokratike, ka mbetur ajo që ishte edhe në 2013 apo 2017.
Edi Rama ka vendosur të ecë me ritmin e kohës, kurse Sali Berisha me kujtimet dhe imazhet e 8 viteve më parë. “Të ribashkojmë partinë, të rrëzojmë qeverinë dhe Ramën”, u thotë Berisha të vetëve, madje me idenë fikse se “vetëm unë e largoj Edin nga pushteti” ai ka mundur që edhe pas kaq e kaq humbejeve elektorale, të mbajë në duart e tij postin dhe shumicën e anëtarësisë. Por në fakt, duhet menduar çfarë po ndodh me atë parti, që njëherë ikën dhe 10 herë i kthehet ish-kryetari, njëherë ndahen dhe kacafyten dhe pastaj ftojnë njëri-tjetrin për bisedime, disa dikur i bënin elozhe dhe “fresk” Bashës, dhe sot i rikthehen mendimit se “Saliu mbetet i pamposhtur në PD”, dihet qysh tani, si do të katandiset ajo në 2025. Dhe përpos kësaj situate gallatash me politikë, ku asnjë nuk mendon dhe asnjë nuk shprehet sipas kokës tij në “kampin blu”, Edi Rama ka zgjedhur të mbajë Kongresin e Partisë Socialiste.
Telenovelat e Doktorit dhe pasuesit të tij, historitë me “zhurmues” se “vetëm Berisha e rrëzon qeverinë, vetëm Berisha na risjell në pushtet”, janë kthyer në gazmore kafenesh tashmë. Edi Rama dhe qeveria e tij, rrëzohen kur ti vijë koha, dhe me votën e lirë të shqiptarëve, Doktor. Mos i ngop me “lugën e zbrazët” ata fakirë që të mbushën stadiumin dhe të besojnë akoma, sikur të ishe “Zeusi”.Kolegët dhe bashkëmoshatarët e tu, sot janë në pension Doktor, nderohen dhe vlerësohen nga kontributet e tyre në fusha të ndryshme. Ti je i vetmi Doktor, që nuk të ndahet “shpirti” nga selia e partisë, që nuk tërhiqesh pa u bërë edhe njëherë “kryetar”, por së fundi ëndërron të bëhesh edhe kryeministër…
Boll u talle me Partinë Demokratike Doktor, boll u baltose partinë e dhjetoristëve, idealistëve, boll se nuk arrin të rrëzosh qeverinë dhe Edi Ramën me retorikën e 1996 apo 2005. Nuk ke përballë Fatos Nanon, Doktor, por “malin” që u përball me 3 kriza të forta, të cilat do të ishin fatale për shqiptarët, në rast se në pushtet do të ishte Partia Demokratike.Por le të kthehemi paksa tek ajo që shton kurozitetin e shumicës së shqiptarëve, tek viti elektoral 2025, kur Edi Rama përfundon mandatin e tretë, dhe starton për mandatin e katër. Për çdo parti politike, të pretendosh për mandat të katër qeverisës, është luks i madh.
Duhet të kesh arritur “majat”, që të dalësh me kurajo para popullit, dhe të kërkosh vazhdimin e qeverisjes tënde. Edi Rama, do ta bëjë patjetër këtë gjë. Ashtu siç bëri reformën në drejtësi, siç bëri betejën me fuqinë e mbinatyrshme, tërmetin shkatërrimtar, ashtu siç bëri “luftën” me COVID-19, ashtu siç po menaxhon krizën ekonomike me efekte botërore, padyshim do të dalë faqebardhë edhe në përfundimin e mandatit të tretë qeverisës. Shqipëria nuk ka luksin të humbë kohën me dështakët, me “xhaketat e vjetra” apo edhe me “mbretërit” e partive të rrënuara, të cilët kanë mbledhur rreth vehtes ortakët e bizneseve dhe personazhet e urryer të qeverisjeve të kaluara.