Një Akt Normativ, dy projektligje dhe katër projektvendime u miratuan këtë të enjte në seancën plenare të Kuvendit.

Akti normativ “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë” propozohet për të zgjatur afatin e vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike për shtetasit shqiptarë që u ka përfunduar vlefshmëria e letërnjoftimeve dhe do të merrnin pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 6 mars 2022. Pas diskutimeve, ky akt normativ u miratua me 105 vota pro.

Seanca vijoi diskutimet plenare me projektligjin “Për organizmin dhe funksionimin e grupeve vendore të veprimit”. Ky projektligj, përcakton parimet bazë, standardet, përgjegjësitë dhe proceset për organizimin e funksionimin e grupeve vendore të veprimit dhe hartimin e zbatimin e strategjive të zhvillimit të udhëhequra nga komuniteti, në harmoni me politikat e zhvillimit bujqësor dhe rural. Në fund të diskutimeve ky projektligj u miratua me 71 vota Pro.

Më tej, seanca vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Përmes këtij ligji, propozohet të shtohen, të ndryshohen dhe të përshtaten dispozita me qëllim përafrimin e direktivave të Bashkimit Evropian dhe rregullimin e mënyrës së funksionimit të agjencive të administrimit kolektiv (AAK). Në fund të diskutimeve, ky projektligj u miratua me 71 vota Pro.

Po ashtu, seanca e sotme plenare miratoi edhe projektvendimet: “Për zgjedhjen e një anëtari për pozicionin Komisioner i Avokatit të Popullit në Seksionin për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve.”, ku Olta Aliaj u zgjodh me 68 vota Pro.

Projektvendim “Për zgjedhjen e një anëtari për pozicionin Komisioner i Avokatit të Popullit në Seksionin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit të Egër, Çnjerëzor ose Poshtërues”, ku Ahmet Prenci u zgjodh me 105 vota Pro.

Projektvendim “Për miratimin e strukturën, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të punës të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura (ERRU)”, ku u miratua me 71 vota Pro.

Projektvendimi për ngritjen e nënkomisionit “Për zhvillim të qëndrueshëm”, u miratua me 102 vota pro.