Lançohet Programi i Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç në shkolla, i mundësuar falë investimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për ngritjen e kabineteve të reja dentare.
Nga shkolla 9-vjeçare “Jeronim de Rada” në kryeqytet, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bashkë me Ministren e Arsimit Evis Kushi dhe Ministren e Fëmijëve dhe Rinisë Bora Muzhaqi, kanë lançuar programin e ri, i cili do të bëjë të mundur kryerjen e depistimin dhe trajtimit të dhëmbëve falas për fëmijët e shkollave.
Në fjalën e saj, Manastirliu tha se ky program do të pilotohet në 10 shkolla në Tiranë, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.
“Fëmijët janë të parët në politikat tona, ndaj po vijojmë të investojmë për programe që i shërbejnë shëndetit të fëmijëve dhe mirërritjes së tyre. Sot jemi të gjithë së bashku në shkollën “Jeronim de Rada” për të promovuar një prej programeve shumë të rëndësishme që ne sapo e kemi nisur, që është programi i dentistrisë në shkolla apo kujdesit dentar në shkolla, i cili vjen si një program që po e pilotojmë në Tiranë, në kuadër të një investimi të cilin e ka bërë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për ndërtimin e 10 kabineteve dentare në 10 shkolla të Tiranës”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se objektivi është për ta shtrirë këtë program në të gjithë Shqipërinë.“Programi do të shtrihet në nivel kombëtar në njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, por gjithashtu nëpërmjet mbështetjes dhe programit që ne kemi me qeverinë ziceriane, do të kemi mundësi që të kemi edhe njësitë e lëvizshme të kujdesit oral në zonat rurale dhe do të jenë dy njësi të lëvizshme, të cilat do të jenë funksikonale brenda këtij viti, duke filluar kështu një depistim me bazë të gjerë të fëmijëve në shkolla dhe komunitete”, tha Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, nënvizoi se ky është një program me rëndësi që do të nxisë edukimin shëndetësor tek nxnësit. “Sot jemi për një tjetër projekt me rëndësi që tregon që po i japim vëmendjen shëndetit për fëmijët tanë. Unë e garantoj që së bashku me mësuesit, më të gjithë ekipet, me stafet tona në shkolla do të bëjmë maksimumin që ky program të zbatohet me rigorozitet”, tha Kushi.
Në fjalën e saj, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha: “Jam e bindur që kjo punë fantastike që Ministria e Shëndetësisë ka bërë me përmirësimin dhe krijimin e këtyre laboratorëve me një cilësi kaq të lartë, laboratorëve dentarë në këtë rast që fëmijët do të kenë mundësi të shkojnë edhe t’i përdorin. Këto 10 shkolla unë jam e bindur që vitin tjetër do të jenë edhe më shumë dhe do të kemi mundësinë që të ndihmojmë edhe tepër fëmijë”, tha Muzhaqi.
Programi i ri i dentistrisë në shkolla, vjen si një nismë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vetëm pak ditë pas lançimit të një tjetër programi për fëmijët, që u miratua në Këshillin e Ministrave: Programi i Parë Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët, që përfshin pa dallim të gjithë fëmijët, nga të porsalindurit e deri në moshën 14 vjeçare, për kryerjen e depistimit apo kontrollit periodik të syve falas.
Programi i Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç fillon në 10 shkolla të Tiranës, më konkretisht në shkollën “Jeronim de Rada”, “Shkolla e Kuqe”, “Vasil Shanto”, “Mihal Grameno, “Kushtrimi i Lirisë”, “Bajram Curri”, “Lasgush Poradeci”, “28 Nëntori”, “Halit Caka” dhe “Qazim Turdiu”, ku janë ndërtuar unite dentare të reja, duke krijuar kabinetet model të ofrimit të shërbimit dentar për fëmijët në shkolla. Më shumë se 11 mijë nxënës në këto 10 shkolla të kryeqytetit do të jenë përfituesit e parë të këtij shërbimi, për t’u shtrirë më pas në gjithë vendin. Ky program do të ofrojë depistimin periodik, edukimi shëndetësor për ruajtjen dhe kujdesin e dhëmbëve si dhe shërbime konkrete, si fluorizimi, pastrami i gurëzave si dhe trajtimet urgjente apo mjekimet e patologjive të indeve të buta. Ky investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vjen në kuadër të programit të ri “Shëndeti në shkolla”, që mbështet shëndetin dhe mirërritjen e fëmijëve.