Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi zhvilloi një takim ditën e sotme me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe drejtorët e policive të Tiranës, Elbasanit, Dibrës, Durrësit e Korçës.

Ministri tha pas mbledhjes për gazetarët se gjatë mbledhjes ishte bërë një analizë e plan-veprimit për 4-mujorin e parë të vitit.

Ndërkohë, u shpreh se fokusi në këtë periudhë lidhet me luftën kundër kultivimit të kanabisit, për të cilën beson se policia i ka tashmë mundësitë për ta minimizuar në “maksimume historike” këtë fenomen.

“Ne takohemi gjithmonë. Sot ishte për të bërë një analizë me Drejtorin e Përgjithshëm dhe me gjithë drejtorët e Shqipërisë, po themi qendrore rajonalë, qoftë shefash komisariatesh dhe bëjmë një analizë të plan-veprimit që kishim për 4-mujroin e parë dhe për të lënë detyrat për 4 mujorin e ardhshëm. Fokusi në këtë periudhë lidhet me luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe e bëmë të qartë edhe njëherë që këtu toleranca është zero. Besoj se policia tashmë ka të gjithë mundësinë, aftësinë dhe mënyrat për ta minimizuar në maksimume historike këtë fenomen negativ. Kështu që ishte një takim pune i zakonshëm siç ju thashë dhe besoj se përbën interes për publikun kjo gjë, por nuk është ndonjë takim i jashtëzakonshëm”, tha Çuçi.