Te Liverpool-i nuk kanë vend vetëm buzëqeshjet për kalimin në gjysmëfinalet e Champions League. Pika e dhimbshme e mbrëmjes së djeshme në “Anfield”, në të cilën skuadra e Jurgen Klopp barazoi 3-3 kundër Benfica, është vdekja e një tifozi të kuq.
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Liverpool-i në një shënim zyrtar, duke sqaruar se tifozi në fjalë është ndier keq para ndeshjes dhe ka ndërruar jetë pak orë më vonë.

“Me keqardhje të madhe, – lexojmë, – klubi i futbollit të Liverpool konfirmon se një tifoz, i cili u ndje keq para ndeshjes së mbrëmshme kundër Benfica, është ndarë nga jeta fatkeqësisht”.

“Së pari, – janë fjalët e një zëdhënësi të klubit, – ngushëllimet dhe mendimet e të gjithë anëtarëve tanë shkojnë për familjen, të dashurit dhe miqtë e tifozit të ndjerë.

Ne dëshirojmë të falënderojmë shërbimet e urgjencës për përpjekjet e tyre heroike në ofrimin e kujdesit urgjent dhe vlerësimin për profesionistët tanë mjekësorë, stjuardët dhe të gjithë njerëzit në afërsi të incidentit për ndihmën e tyre”. Detajet personale të tifozit të Liverpool nuk janë bërë të ditura.