Mandati i presidentit të Republikës, Ilir Meta, është prej kohësh i ditur se do të përfundojë më 24 korrik 2022, me asnjë dëshirë politike në dukje, për ta rikthyer edhe një pesë-vjeçar tjetër atë në krye të shtetit.

Ajo çfarë nuk ishte e ditur dhe u bë publike dje nga ana tjetër, është se forca politike, të cilën Meta e themeloi, Lëvizja Socialiste për Integrim, do të zhvillojë vetëm një ditë pas përfundimit të mandatit presidencial të Metës, Konventën Kombëtare të partisë.

Ishte Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, ai i cili në një konferencë për shtyp, tha se vendime të rëndësishme – të lidhura me zgjedhjet lokale 2023 – do të merreshin në Konventë.

Këto vendime, u cilësuan edhe si “shumë të rëndësishme politiko-organizative” për vetë partinë.

Puna madje ka filluar edhe me ngritjen e një ekipi qendror të punës mbi përgatitjen e programit politik dhe ndryshimeve statutore në LSI.

Mirëpo, asnjë vendim madhor sa i përket strukturave kryesore të partisë nuk pritet të ndërmerret.

Vetë Meta, nuk e ka fshehur aspak as dëshirën dhe as qëllimin e rikthimit të tij të fuqishëm politik pas mandatit presidencial.

Ai madje nuk ka lënë studio televizive pa e reklamuar këtë rikthim.

Pavarësisht këtij fakti, nuk dihej saktësisht se në çfarë roli apo funksioni do të ishte dhe bashkëshortja e tij – aktualisht kryetare e LSI-së – Monika Kryemadhi, i trazoi edhe më shumë ujërat politike shqiptare, kur tha se forca e qendrës, “nuk i mjaftonte Ilir Metës”, për shkak se diçka më e madhe e pret atë në terrenin politik.

Me bashkërendimin e forcave me Sali Berishën për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, u provua edhe se një aleancë e vjetër Berisha-Meta është aktive më shumë se kurrë, duke mbajtur edhe qëndrime indirekte – por të qarta – publike.

Kjo Konventë e LSI-së gjithsesi, mund të jetë në thelb edhe e paqëllimshme për t’u zhvilluar në atë datë.

Në 24 orë, Ilir Meta mund të kalojë nga të qenit President i Republikës në të qenit kryetar (de facto në mos de jure), i partisë së tretë më të madhe në vend në zgjedhjet e fundit.

Rastësi partiake apo profeci presidenciale, data e zgjedhur e 25 korrikut?

Ilir Metën – sido të jetë – ajo po e pret.(albaniapost)