Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën sanksione që synojnë dy vajzat e mëdha të Presidentit rus Vladimir Putin dhe njoftuan se po ashpërsojnë masat kundër bankave ruse lidhur me ato që Uashingtoni i cilëson si krime lufte në Ukrainë.

Masat e ndërmarra ndaj Sberbank dhe Alfa Bank, nënkuptojnë një bllokim të parave që kalojnë nëpërmjet sistemin financiar të SHBA-ve dhe ndalojnë amerikanët të bëjnë biznes me këto institucione.

Përveç sanksioneve që synojnë dy vajzat e mëdha të zotit Putin, Mariya Putina dhe Katerina Tikhonova, SHBA-të kanë vendosur në shënjestër edhe kryeministrin Mikhail Mishustin, bashkëshorten dhe fëmijët e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, si dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, mes tyre Dmitry Medvedev, i cili ka mbajtur më parë detyrën e ish-president dhe kryeministrit të vendit.

Sanksionet synojnë të bllokojnë qasjes e të gjithë anëtarëve të rrethit të ngushtë familjar të zotit Putin në sistemin financiar amerikan dhe ngrijnë çdo pasuri që ata kanë në Shtetet e Bashkuara. Një zyrtar i lartë amerikan tha për gazetarët se nëse Presidenti Putin ndryshon qëndrim për Ukrainën, sanksionet mund të ngadalësohen, ndoshta edhe të hiqen.

Sanksionet pasojnë akuzat e shumta se forcat ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë. Presidentit Zelensky, akuzoi botën këto ditë se po dështon për t’i dhënë fund agresionit rus ndaj vendit të tij dhe për atë që ai e cilësoi si fushatë vrasjesh, përdhunimesh dhe shkatërimesh nga forcat ruse.