Vendimi i gjykatës së Tiranës për të njohur statutin e 11 Dhjetorit i hapi rrugë Komisionit të Rithemelimit të drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha të rikthehej në PD dhe praktikisht të merrte edhe drejtimin e partisë.
Prej asaj dite në selinë blu zhvillohen të gjitha mbledhjet e Komisionit të Rithemelimit dhe një prej zyrave tani i takon ish kreut të kësaj partie, Sali Berisha.
Në ditët e para pas vendimit ra në sy fakti që Komisioni i Rithemelimit mori kontrollin e grupit të WhatsApp për komunikimin me mediat.
Por ka ende dy kanale të tjera komunikimi që grupi i Berishës nuk i ka marrë ende nën kontroll. i pari dhe më i rëndësishmi është faqja në Facebook e Partisë Demokratike me mbi 300 mijë ndjekës. Në këtë faqe publikohen të rejat e fundit të aktivitetit politik të kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj.
Komisioni i Rithemelimit ka hapur një llogari tjetër në facebook me emrin “Partia Demokratike e Shqiperise – Komisioni i Rithemelimit” me mbi 4 mijë ndjekës. Së fundmi në këtë faqe janë publikuar të rejat mbi procesin zgedhor që po zhvillohet nëpër degë.
Por një tjetër kanal komunikimi që ende nuk është marrë nën kontrollin e Komisionit të Rithemelimit është faqja zyrtare e Partisë Demokratike pd.al.
Nëse klikon në këtë faqe sheh që foto kryesore është ajo e sloganit të zgjedhjeve të shkuara parlamentare “Zgjedhim të ardhmen”, logo e pandryshuar dhe mbi të gjitha, në kategorinë Kryetari, rezulton ende Lulzim Basha.
Postimi i fundit në këtë faqe i takon 18 Marsit, ndërkohë që në faqen kryesore janë të publikuara disa aktivitete të ish kreut të demokratëve, Basha.