Në Ukrainë është dita e 59-të e luftës, ndërsa pashkët ortodokse duket se nuk do të ndalin forcat ruse, pavarësisht apeleve të vazhdueshme.
Synimi i Moskës është që të marrë kontrollin e Donbasit dhe jugut të Ukrainës. Ndërkohë fotot satelitore kanë zbuluar praninë e varreve masive në Mariupol.
Autoritetet lokale kanë bërë publike pamjet e një varri masiv në fshatin Vynohradne me gjatësi rreth 45 metra ku mund të varroseshin deri në 1 mijë civilë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se pushtimi i Ukrainës është vetëm fillimi dhe Putin nuk do të ndalet pasi dëshiron të pushtojë vendet e tjera.
Në fjalimin e tij mbrëmjen e kaluar, Zelensky tha: “Pushtimi i Ukrainës është vetëm fillimi, ata duan të pushtojnë edhe vende të tjera. Ne do të mbrohemi për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të thyer këtë ambicie të Rusisë”.
Ndërsa këshilltari i Zelenskyt, me anë të një reagimi në Twitter thotë se objektivi i radhës i Moskës është Moldavia.
Ndërkohë BE po përgatitet të zbatojë paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës javën e ardhshme. Masat e reja mund të përmbajnë ndalimin e importit të naftës, edhe nëse po punohet për modalitetet. Gjithashtu është planifikuar zgjerimi i listës së bankave ruse të përjashtuara nga sistemi Swift.
Britania e Madhe, në përditësimin më të fundit mbi situatën në Ukrainë në ditën e 59-të, ka deklaruar forcat ruse nuk kanë bërë shumë përparim në 24 orët e fundit pasi kundërsulmet ukrainase vazhdojnë të pengojnë përpjekjet e tyre.
Mykhailo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky pretendon se objektivi i ardhshëm i ushtrisë ruse do të jetë Moldavia.
“Moskës po i shtohet ‘oreksi’. Tani objektivi i radhës është Ukraina jugore për të arritur në Transnistria. Ndërsa objektivi tjetër i ushtrisë së grabitësve dhe përdhunuesve do të jetë Moldavia. Kjo tregon se Ukraina po lufton për sigurinë e Europës”, shkroi Podolyak në Twitter.
Komandanti rus Rustam Minnekayev tha se gjatë fazës së dytë të sulmit ndaj Ukrainës ishte e nevojshme të krijohej “një dalje në Transnistria”.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky deklaroi 6 ditë më parë se 8 persona ishin vrarë dhe 106 ishin plagosur nga bombardimet ruse në Kharkiv, ndërkohë zyrtarët Ukrainas thanë sot se forcat ruse kanë vazhduar të bombardojnë qytetin verilindor të Kharkiv dhe rajonin.
“Okupatorët rusë vazhdojnë të gjuajnë mbi infrastrukturën civile të Kharkiv dhe rajonit. Gjatë ditës, pushtuesit shkaktuan 56 goditje, si rezultat, 19 mbetën të plagosur, dy persona vdiqën, ndërkohë civilët në Kharkiv kanë duruar sulme të rënda për ditë të tëra”, tha Oleh Syniehubov, kreu i administratës ushtarake rajonale të Kharkiv.
Guvernatori ushtarak njoftoi se një shtetrrethimi në rajon do të jetë në fuqi nga ora 19:00. deri në orën 5 të mëngjesit me orën lokale.
Më 17 prill, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se në katër ditë më parë, 18 persona ishin vrarë dhe 106 ishin plagosur nga bombardimet ruse në Kharkiv.