Ishte përballja e vetme televizive e dy kundërshtarëve në prag të balotazhit presidencial të së dielës, dhe Macron e shfrytëzoi sa mundi për të nxjerrë në dritë të keqe nacionalisten Le Pen.
Për gati tre orë, kandidatët për kreun e e Elizesë u përplasën për çështje si kostot e jetesës, Rusia, ndryshimet klimatike dhe emigracioni.
Le Pen kundërshtoi sanksionet mbi gazin dhe naftën ruse, duke thënë se një masë e tillë do t’i bëjë më shumë dëm Francës se sa Rusisë.
E ashpër replika e Macron që akuzoi rivalen nacionaliste se varet nga pushteti rus. Ai citoi një hua prej 9 milionë eurosh nga një investitor rus për Le Pen.
“Ju vareni nga pushteti rus, ju vareni nga Putin. Ju morët një kredi nga një bankë ruse në vitin 2015. Ajo flet me bankierin e saj në Rusi, dhe jo me liderët e tjerë botërore”, tha Macron.
Ndërsa Le Pen u përgjigj: “Ai e di shumë mirë se unë jam një grua e lirë dhe e pavarur. Mbroj Francën dhe francezët sepse jam patriote, këtë e kam treguar”.
Megjithatë gjatë debatit me Macron, Le Pen shprehu solidaritetin me popullin e Ukrainës dhe tha se agresioni rus në këtë shtet është i papranueshëm.
Dy kandidatët u përplasën gjithashtu për çështjen e emigracionit dhe lidhur me dëshirën e Le Pen për t’u hequr grave myslimane të drejtën e mbajtjes së shamive.
“Dua të ndaloj hixhabin në hapësirat publike. Dua ta them në mënyrën më të qartë, ajo është një uniformë e imponuar nga islamikët”, tha Le Pen.
“Ajo që shqetëson në deklaratat e tuaja është rruga që zgjedh. Nga pyetja për shaminë kalon tek terrorizmi dhe më pas tek Islamizmi dhe të huajt. Ju krijoni konfuzion lidhur me problemet”, shtoi Macron.
Sipas një sondazhi të institutit Elabe, ishte Macron fituesi i debatit televiziv, me një diferencë të theksuar prej 59 me 39 për qind. Macron, i cili fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, rezulton të jetë në avantazh ne prag të balotazhit, por miliona votues janë ende të pavendosur.