12 Prill, Kukës- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, së bashku me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, drejtuesen e zyrës së OBSH në Shqipëri, Geraldine Mc Weeney dhe drejtuesin e UNICEF për Shqipërinë, Dr. Roberto de Bernardi, kanë vizituar qendrën shëndetësore në Shtiqën të Kukësit, për të parë nga afër zinxhirin ftohës për ruajtjen e vaskinave. Duke shprehur mirënjohjen për partnerët ndërkombetarë për mbështetjen për rritjen e kapaciteteve të zinxhirit ftohës për ruajtjen e vaksinave, Manastirliu tha se rritet siguria për shpërndarjen e vaksinave të sigurta në nivel kombëtar.

Shperndarja e 102 frigoriferëve +2+9 gradë celcius në qendra shëndetësore dhe NJVKSH në të gjithë vendin, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, plotëson të gjitha nevojat për këto pajisje dhe rrit me 25% kapacitetet aktuale të zinxhirt të ftohtë për këto temperatura, duke siguruar kapacitete të mjaftueshme edhe për futjen e vaksinave të reja në kalendarin e vaksinimit. Po ashtu, sigurimi i dy makinave frigoriferike për shpërndarjen e vaksinave në IShP përmireson më tej sigurinë e shpërndarjes së vaksinave në vend. Për monitorimin e temperaturave jashtë dhomave të ftohta është investuar në bashkëpunim dhe me partnere si OBSH, USAID dhe UNICEF, ku çdo frigorifer për ruajtjen e vaksinave në vend ka mundësi të monitorohet në mënyrë të sigurt.