Humbja e mbrëmshme prej 4:0 nga Liverpooli e ka thelluar edhe më shumë krizën e Manchester Unitedit. “Djajtë e Kuq” pas 33 ndeshjeve të zhvilluara në Premierligë radhiten në vendin e 6-t të renditjes tabelore dhe janë në rrezik për të mos e arritur as zonën Top-4 që dërgon në Ligën e Kampionëve, shkruan Gazeta Express.

Debakli prej 4:0 që e pësoi mbrëmë në “Anfield” nga Liverpooli ka shkaktuar zhgënjim të madh jo veç te tifozët e Manchester Unitedit, por edhe te ish futbollistët legjendar të këtij klubi.

Roy Keane u dëshpërua shumë me paraqitjen e dobët të ish skuadrës së tij, kurse Gary Neville thotë se ish klubi i tij tani është në pikën më të ulët që ai e ka parë ndonjëherë.

Manchester United ishte një milion milje larg nga skuadra e Liverpoolit, edhe atë në çdo aspekt. Ka qenë e pritur. Asnjë tifoz i Manchester Unitedit nuk erdhi në “Anfield” me shpresë për të fituar. Ky ekip nuk ka asgjë. Në pikën ku jemi sot, është niveli më i ulët qe 42 vjet të mija që unë e kam parë. Unë asnjëherë nuk e kam parë më keq Manchester Unitedin sesa tani”, ka deklaruar Neville.

“Unë kurrë gjatë 42 vjetëve të mija nuk kam parë Manchester Unitedin që të jetë kaq i dobët në një ndeshje futbolli si mbrëmë kundër Liverpoolit”, tha ai.

Edhe Roy Keane ka shpreh shqetësim. Ai ka thënë se dikur futbollistët e Manchester Unitedit frikësoheshin nga mundësia e shitjes nga ana e klubit. Kurse, tani lojtarët mezi po presin të largohen nga “Old Trafford”.

“Ajo çka ka pasur Manchester United gjatë karrierës sime në këtë klub është karakteri brilant, njerëzit brilantë, njerëzit që dëshironin të punonin dhe të fitonin. Robson, Bruce, Pallister, Beckham, Giggsy, Butty të gjithë këta djem, djem të shkëlqyeshëm”, ka deklaruar Keane.

“Por ky ekip i sotshëm nuk është as i pëlqyeshëm, nuk ka as shpirt për të kërkuar fitore e suksese, luan pa emocione. Do të doja të dija se çfarë po ndodh në terrenin stërvitor? Cila është puna me lojtarët, lojtarët e rinj, atmosfera aty. Unë kurrë nuk kam parë më shumë lojtarë sesa tash që duan të largohen nga Manchester United. Në kohën kur unë luaja, futbollistët frikësoheshin se mund të largoheshin nga ana e klubit, të shiteshin, sepse largimi me dëshirë nuk ka ardhur në shprehje”, ka shtuar Keane.

Liverpooli është i pari në renditje me 76 pikë, dy më shumë sesa Manchester City. Chelsea është i treti me 62 pikë, kurse Totenhami i katërti me 57. Arsenali dhe Manchester Unitedi kanë nga 54 pikë.