Sot në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, vizitorët do të kenë mundësi të vizitojnë falas të gjitha monumentet dhe sitet arkeologjike të vendit tonë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila tha se “sot është Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve, që këtë vit i dedikohet mbrojtjes së klimës.
Një ditë për të reflektuar mbi dëmet që mund t’i shkaktoheshin monumenteve për shkak të ndryshimeve klimatike. Fati i tyre varet vetëm nga sjellja jonë karshi natyrës. Sot, hyrja është e lirë në parqet arkeologjike“.

Vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë jo vetëm pasuritë e trashëgimisë kulturore, por të marrin pjesë edhe në aktivitetet që do të zhvillohen pranë tyre si ekspozita fotografike, promovime librash, koncerte, trajnime, punëtori dhe leksione të hapura.

Vizitorët dhe turistët e huaj mund të vizitojnë plot monumente kulture dhe site, si atraksione turistike dhe historike që nga parqet arkeologjike të Amantias, Orikut, Finiqit, Apolonisë, parkun arkeologjik të Bylisit, Antigonenë, si dhe Butrintin.

Gjithashtu turistët mund të vizitojnë edhe disa kala si në Shkodër, Berat, Lezhë, Krujë, kalanë e Kaninës, të Himarës, Porto Palermos etj.

Muzetë, kalatë dhe parqet arkeologjike gjatë vitit 2018 kanë mirëpritur 378 mijë turistë vendas dhe të huaj.

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve kujtohet prej vitit 1983, kohë kur Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s u rekomandoi shteteve anëtare që të shqyrtonin mundësinë e deklarimit të 18 prillit të çdo viti si “dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike”.

Dita ndërkombëtare e monumenteve dhe vendbanimeve historike paraqet një mundësi për të gjithë Komitetet Kombëtare të ICOMOS-s që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta në të njëjtën ditë.

Në këtë ditë ofrohet mundësia për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, banorëve të zonave historike, rreth vlerave muzeale dhe kërkohet përpjekje për të mbrojtur, konservuar, restauruar dhe rijetësuar dhe vënë ato në dobi të një turizmi kulturor me cilësi.