Milan, që tenton të fitojë Seria A pas 11 vitesh, do të luajë sonte një ndeshje tejet delikate kundër Torinos. ‘Djalli’ udhëheq kamopionatin me 1 pikë më shumë se Inter, por zikaltërit bënë detyrën të shtunën me Veronën dhe pas barazimit me Bolonjën presioni për skuadrën e Piolit është shtuar.

Vetë trajneri në konferëncë për shtyp ka deklaruar se ‘është privilegj të jesh në luftë për titull. Në verë askush nuk na mendonte pretendent. Skuadra nuk më duket e stresuar, por duhet të punojnë me fazën e sulmit’.

Kundër Torinos në transfertë për Milanin janë të padisponueshëm Florenzi dhe Romagnoli, ndërsa te Torino mungojnë Praet, Zaza, dhe Sanabria. Përsa i përket statistikave Milan ka fituar të 5 ndeshjet e fundit kundër Torinos, madje sezonin e kaluar me shifrat bombastike 7-0. Aktualisht Torino ndodhet në mesin e artë të tabelës, por në rast neglizhence Milan rrezikon ta pësojë si me Bolonjën.

Ndërkohë po sonte Barcelona luan në transfertë kundër Levante-s, me qëllimin që të rikthehet në vendin e dytë pas fitores së Sevillia-s. Edhe në këtë ndeshja Xavi duhet t’ja bëjë pa një sërë futbollistësh si Pique, Depay, Fati, Dest dhe Sergi Roberto. Për t’u theksuar edhe fakti që Barcelona në 14 ndeshjet e fundit nuk ka asnjë humbje, ndërsa numëron 6 fitore radhazi.