Ka nga ata që e bënë në frontin e luftës, të kamufluar me një buqetë të improvizuar dhe një vello nën helmetë dhe të tjerë që u martuan në qytete, duke i lejuar vetes të përjetësohen në foton e zakonshme mes rrënojave të bombardimeve. Lufta në Ukrainë nuk e ndali dashurinë dhe dëshirën për të bërë mbi 22,000 martesa të regjistruara, që nga fillimi i luftës, duke përfshirë 1,800 vetëm në qytetin e Kievit.
“Asgjë nuk frymëzon shpresë për fitore se sa lindja e një jete të re. Qyteti jeton! Në kryeqytet lindin çdo ditë familje të reja dhe jetë të reja”, ka shkruar në Fb nënkryetari i administratës shtetërore të kryeqytetit, Mykola Povoroznyk, duke folur edhe për lindjet e reja, 1500 fëmijë që erdhën në këtë jetë nën zhurmat e bomba, ku 759 ishin djem dhe 670 vajza dhe të paktën 32 binjakë, theksojnë mediat ukrainase.
Siç ndodh shpesh në kohë lufte, emrat lidhen edhe me ditët e vështira që Ukraina po përjeton prej gati dy muajsh. Ndër regjistrimet e reja të foshnjave, shumë quhen Jevelin, Javelin, Jav ose Javelina në homazh të atyre raketave të mbërritura nga Shtetet e Bashkuara që po bëjnë të mundur rezistencën ukrainase.
Ka shumë histori tmerri dhe mizorish që vijnë nga Ukraina, por gara për martesa dhe lindje tregojnë për një vend që, edhe një herë, nuk dëshiron të dorëzohet, si ajo e disa ditëve më parë, kur një ushtar ndaloi makinën e vajzës në një pikë kontrolli për t’i bërë deklaratën të dashurisë. Pamjet e tregojnë atë të frikësuar teksa zbret nga makina dhe më pas përfshihet nga emocionet teksa i gjunjëzuar i jep të dashurës së tij unazën e ‘përgjithmonë’.