Milan është në një luftë të fortë për titullin në Serinë A dhe në fundin e sezonit mund të vijë gëzimi më i madh, por pavarësisht nga kjo, merkato e verës mund të sjellë shumë gjëra të mira për milanezët. Sipas La Gazzetta dello Sport, Paolo Maldini dhe drejtuesit e klubit kuqezi janë gati të shpenzojnë 100 milionë euro për t’i dhuruar Pioli-t tre blerje ëndrrash. Nuk bëhet fjalë për asnjë çmenduri, por për lojtarë të rinj dhe cilësorë, në përputhje të plotë me filozofinë aktuale të klubit. Emri i parë në listë është ai i mbrojtësit të Lille, Sven Botman.
Sipas Gazzetta-s, kuqezinjtë janë shumë në avantazh tani: edhe konkurrenca e Newcastle është lënë mbrapa, për një goditje që duhet të kushtojë rreth 25-30 milionë euro. Për të njëjtën shifër, Milan-i mund të sigurojë edhe shërbimet e Renato Sanches. Menaxheri i tij është Jorge Mendes, i njëjti i Leao-s. 24-vjeçari pritet të marrë vendin e Franck Kessie në mesin e fushës. Do të duhet të arrihet një marrëveshje për rogën, duke parë se aktualisht është akoma 6 milionë euro, shumë e lartë. Emri i nxhetë për sulmin është ai i Gianluca Scamacca-s.
Për yllin e ri të Sassuolo-s interesohet prej kohësh edhe Inter-i, por zikaltrit duhet të shesin në fillim para se të blejnë. Milan-i po kërkon të përfitojë nga kjo situatë dhe javën e ardhshme pritet të zhvillohet një takim i rëndësishëm me Sassuolo-n për atë që shihet si pasardhësi i Ibrahimovic. Sassuolo kërkon rreth 40 milionë euro, Maldini me shokë janë të bindur se mund ta blejnë lojtarin për një shifër më të arsyeshme. Dhe ka më shumë: zbarkimi i Scamacca-s në Milanello nuk do të përjashtonte atë të Divock Origi me kosto zero. Nuk është një revolucion, por goditje të menduara mirë për të tashmen dhe të ardhmen.