Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi organizoi një takim me drejtues të institucioneve arsimore nga e gjithë Shqipëria, të cilët kanë patur rezultatet më të mira në maturën shtetërore, në shkollën e drejtoreve, etj..
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha strukturave dhe aktorëve në realizimin me sukses të Strategjisë së re dhe kapërcimin e sfidave në arsim, Ministrja Kushi tha se arsimi ka nevojë për një frymë të re në drejtimin e institucioneve arsimore, duke filluar që nga institucionet më të larta e në çdo nivel të hijearkisë së drejtimit të institucioneve arsimore.
“Kemi nevojë për frymë të re, energji të reja dhe kontribute të reja. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit parauniversitar ka bërë një punë kolosale dhe duhet ta pranojmë. Është një institucion që u ngrit i ri dhe i ka përballuar me sukses tërmetin dhe pandeminë, por edhe shumë vështirësi të tjera që kemi hasur gjatë kësaj periudhe. Në vazhdim të punës së mirë që është bërë, dhe për shkak të nevojës për energji të reja, për ritme të reja më të shpejta ne kemi shpallur sot thirrjen për drejtues të DPAP”- u shpreh ministrja Kushi.
Më tej ajo ka ftuar drejtuesit e institucioneve arsimore nga gjithë Shqipëria që i kanë përvojën, profesionalizmin, integritetin, përkushtimin dhe dashurinë për arsimin, të aplikojnë për këtë thirrje, në mënyrë që të sjellin energji të reja, frymë të re dhe suksese të reja në arsim.
“Jam e bindur që kemi shumë mes nesh. E rëndësishme është që të kemi sa më shumë konkurrentë. Ju ftoj të gjithëve që të aplikoni që së shpejti të kemi një drejtues të ri në DPAP” – u shpreh Kushi.
Ndër të tjera, gjatë takimit u trajtuan tema si: sfidat dhe arritjet në drejtimin e Institucioneve Arsimore në vend; roli i prindërve dhe komunitetit në mbështetje të strukturave të shkollës; përfshirja e Qeverive të Nxënësve në vendimmarrje dhe jetën aktive të shkollës në bashkëpunim me mësuesit, prindërit, komunitetin, qeverisjen lokale dhe OJF-të; Shërbimi Social si faktor i rëndësishëm në krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës, bashkëpunues dhe miqësor në shkollë; Matura Shtetërore; sfidat e mësuesve si urë lidhëse midis nxënësve, prindërve dhe komunitetit; Aftësia menaxheriale e ekipit drejtues për zbatimin e politikave dhe reformave në shkolla, etj..