Seria A (2021-2022) është një garë e paparashikueshme për titullin. Padyshim që askujt nuk i pëlqen roli i favoritit, nëse është e vërtetë që pas një jave ka rezultate të tilla për të hedhur poshtë statistikat dhe parashikimet.
Realiteti është se me gjashtë javë nga fundi, tri skuadra distancohen me nga një pikë, por me një yll domethënës, ai që shoqëron Interin, tashmë i dyti, së bashku me Napolin, -1 pikë nga Milani. Kujtojmë se zikaltrit duhet të rikuperojnë ndeshjen e prapambetur me Bologna më 27 prill.
Këtyre iu shtohet edhe Juventusi, teorikisht ende në garë, pavarësisht gjashtë pikëve prapa kuqezinjve. Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti ka folur mbi luftën emocionuese për trengjyrëshin, i intervistuar nga “Radio Anch’io Sport”.
Sipas Morattit, pavarësisht humbjes së rëndë në shtëpi ndaj Fiorentinës, Napoli është kundërshtari më i frikshëm për Interin, sërish zot i fatit të vet: “Numrat thonë se Interi është praktikisht i pari, por kemi të bëjmë me një kampionat që çdo të diel (javë) nxjerr diçka të re në pistë.
Më duket se Interi ka bërë hapin e duhur, duke luajtur mirë kundër Veronës. Juve nuk është ende jashtë loje, duhet të jeni të kujdesshëm. Në një mënyrë ose tjetër, badhezinjtë fitojnë pothuajse gjithmonë. Pra, duhet shmangur afrimi i tyre shumë. Sidoqoftë, besoj se kundërshtari më i rrezikshëm për Interin mund të jetë Napoli”.
E diela ishte edhe dita e ndeshjes spektakolare të Premier League mes Manchester City dhe Liverpool. Një orë e gjysmë futboll me përmbajtje shumë të lartë konkurruese dhe teknike, një skenar i pakrahasueshëm me atë aktual të Serie A. Moratti komenton, fokusohet edhe te kriza e Milanit:
“Këtë vit Milani tashmë ka bërë shumë, mendoj se tifozët thjesht duhet të falënderojnë Piolin. Kuqezinjtë po përjetojnë një moment lodhjeje, siç ndodhi me Interin për kaq shumë ndeshje. Dje pashë Manchester City-Liverpool dhe sinqerisht ka një diferencë të dukshme loje dhe ritmi në krahasim me Serie A.
Kuptohet, kjo vjen për shkak të diferencav në cilësi. Duket si një sport tjetër atje. Megjithatë, mendoj se do të ishte më e drejtë nëse të gjitha skuadrat që luftojnë për titull do të luanin në të njëjtën kohë”.