Vendimet e para të mundshme marrin formë në shtëpinë e Besiktas. Miralem Pjanic, i cili iu bashkua Superligës turke në shtator të vitit 2021 me formulën e huazimit nga Barcelona, ​​nuk do të jetë pjesë e së ardhmes së klubit në fjalë.

“Lojtarët që kanë ardhur në huazim nuk do të qëndrojnë. Ne nuk do të vazhdojmë as me Batshuayi dhe as me Pjanic”. Me këto fjalë, drejtori sportiv i klubit, Ceyhun Kazancı, në fakt ka bërë të ditur se si aventura turke e ish-mesfushorit të Juventusit dhe Romës tashmë ka arritur në fund.

Për boshnjakun, pra, rikthimi në klubin-mëmë, Barcelona, i cili zotëron kartonin e tij, duket i sigurt. Tashmë, fantazisti është në pritje për të kuptuar zhvillimet e ardhshme të karrierës së tij.

Me Ronald Koeman nuk ia doli të fitonte vend në formacionin blaugrana, por me Xavi në stol gjërat mund të ndryshojnë. Boshnjaku i përafrohet stilit të lojës që po aplikon ish-mesfushori në “Camp Nou”, ndaj e ardhmja e tij duhet peshuar.

Kuptohet, këtu do të ndikojë edhe ana financiare, sepse Barcelona ka vendosur një tavan për pagat, sipër të cilit nuk kalon. Shifrat e Pjanic deri më sot në Stamboll janë: 24 paraqitje zyrtare dhe 4 asiste. E ardhmja? E gjitha për t’u përcaktuar.