Makthi Bodo/Glimt përfundon në stadiumin “Olimpik”. Roma largon frikën dhe thyen norvegjezët me “poker” golash, tani verdhekuqtë e Jose Mourinho hedhin kandidaturën për të triumfuar në Conference League, të paktën për të qenë prezent në “Air Albania”. Rruga për në Tiranë tani kalon nga Leicester, skuadër me të cilën do të përballen në fazën gjysmëfinale.

Abraham kaloi kryeqytetasit në avantazh që në minutën e 5-të për i lënë më pas stafetën Nicolo Zaniolo me sulmuesin që shpërtheu duke realizuar një “tripletë” golash. Të shtyrë nga një stadium i zjarrtë, banda e Jose Mourinho kishte kontrollin total të lojës duke mos e vendosur ndeshjen për asnjë moment në dyshim, brenda 29-të minutash rezultati ishte 3-0. Me fillimin e së dytës, Zaniolo kompletoi mbrëmjen e tij perfekte duke ia bërë gjërat me të lehta Mourinhos i cili më pas u kujdes të freskonte ekipin me zëvendësime të shumta:

“Luajtëm mirë, me intensitet, presing dhe cilësi. Që në momentin kur ndeshja shkojë 1-0 e kuptova që gjithçka ishte e mbyllur, kisha shumë besim. Skuadra e meritonte këtë rezultat, kemi kaluar një rrugëtim të vështirë në Conference League, tani jemi ne që mbajmë lart flamurin e Italisë, vetëm ne kemi arritur kaq larg”, theksoi ndër të tjera Mourinho në konferencë për shtyp.