Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka zbuluar një prej vendimeve që pritet të merren dhe votohen në Kongresin e Partisë Socialiste të shtunën (9 prill).
Në një intervistë në emisionin “Frontline”, Spiropali u shpreh se do votohet zgjedhja e një personi ekzekutiv në nivel bashkie, i cili do të bëjë të mundur mbledhjen e të dhënave dhe komunikimin me sekretariatin e partisë.
Përtej këtij vendimi, ministrja shton se ndryshimet statutore të cilat pritet të votohen në Kongres, synojnë vetërregullimin brenda Partisë Socialiste, të cilat do të përkthehen në një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve.
Spiropali: Nuk ka një pikë. Ne shohim në tërësi si një Kongres, pas një palë zgjedhjesh të pjesshme, ku ne diskutojmë, jo vetëm për atë që kemi bërë, momentin ku jemi, ku po përballemi me një krizë jo të vogël, dhe vizionin për të ardhmen. Për të dalë më pas me një plan afatshkurtër dhe afatmesëm përsa i përket organizimit elektoral, statutit por edhe programit qeverisës. Diskutimi në Asamblenë Kombëtare ishte i shëndetshëm dhe u përqëndrua në disa nga ndryshimet në statut dhe nevoja për hapje dhe fuqizimin e Partisë Socialiste. Nuk janë madhore, përmbysje por disa vetëkorrigjime, përmirësime të nevojshme për zgjedhjet elektorale të rradhës, por edhe në tërësi për shëndetin organizativ të PS-së. Një nga ndryshimet që është bërë publik për të cilin do votojmë, zgjedhja e një kancelari, apo një personi ekzekutiv në nivel bashkie që do drejtohet nga Sekretariati Ekzekutiv i PS-së por edhe nga drejtuesi politik dhe kryetari i partisë, që do bëjë të mundur mbledhjen e të dhënave, komunikimin me sekretariatin ekzekutiv. Janë çështje të vogla, por me rëndësi të madhe.
Ministrja Spiropali ka komentuar edhe një prej porosive të kryeministrit, Rama, atë të opozitarizmit brenda vetë qeverisë.
Spiropali shprehet se mungon një opozitë e vërtetë që të jetë një alternativë qeverisëse për vendin.
Gazetarja: Përkthehen në rezultate, pse jo edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Spiropali: Ai është qëllimi i çdo partie politike, të jetë një parti që reflekton, ndryshon, dëgjon dhe i përgjigjet pritshmërive të publikut. Mundohemi ta bëjmë gjithmonë për të matur pulsin e publikut dhe për të reflektuar ndaj tyre. Edhe në aspektin organizativ është domosdoshmëri që ta shohim veten në sy. Jemi në mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Është një mandat historik, por që patjetër ka konsumin dhe kostot e veta. Këtë debat ta bëjmë me njëri-tjetrin, të kemi zëra kritik, të kemi shtigje të reja organizative dhe vetëqeverisës. Zëri për qeverisjen, gjendja pranë e qytetarëve. Ne e bëjmë gjithmonë, por kemi nevojë ta bëjmë më mirë. Na mungon një opozitë që është e vërtetë, një opozitë që është alternativë qeverisëse, një opozitë që na vendos në vështirësi. E them me keqardhje të madhe këtë, pasi nuk hyj në njerëzit që besojnë se dobësia e opozitës është forca jonë. Një opozitë e dobët nuk ka vetëm gjumin si tipar. Gjumi ka qenë një fjalë kyçe për një kohë të gjatë, na jep një vetësiguri të rreme. Nuk e shfrytëzojmë dobësinë e opozitës për të bërë të fortin me qytetarët. Mundohemi që forcën tonë ta bazojmë tek e drejta, puna dhe vendimmarrje të justifikuara.