NATO ka nisur një projekt në vendet anëtare kundër dezinformimit dhe veprimtarive armiqësore të informacionit.
Në një njoftim për shtyp, NATO bën të ditur se do të ofrojë grante për ide të reja në fushën e informacionit duke u mundësuar vendeve të Aleancës që të jenë më elastike ndaj dezinformimit dhe veprimtarive armiqësore të informacionit.
Teksa ka dhënë më shumë informacione për këtë nismë, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se, “Dezinformimi dhe veprimtaritë armiqësore të informacionit janë kthyer në një fenomen shqetësues dhe për këtë NATO është e vendosur t’i kundërpërgjigjet këtyre fushatave.
Nisma më e fundit e Aleancës është gjithashtu një mundësi e jashtëzakonshme për organizatat joqeveritare (OJQ) shqiptare, universitetet, dhe çdo organizatë tjetër të shoqërisë civile.
Divizioni i Diplomacisë Publike të NATO-s ka bërë një thirrje për të mbështetur financiarisht çdo projekt novator për të luftuar dezinformimin dhe aktivitetet armiqësore të informacionit në shoqëritë tona”.
Ndaj ministri Peleshi i bën thirrje çdo OJQ-je, universiteti apo organizate të shoqërisë civile në Shqipëri me ide të reja dhe projekte inovatore se ka afat deri më 10 maj 2022 të aplikojë.