Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë rënë dakord për të rritur ndihmën humanitare dhe financiare për Ukrainën në mes të luftës së saj me Rusinë.

“Aleanca është e vendosur për të ndihmuar trupat ukrainase që të mbrojnë shtëpitë dhe vendin e tyre dhe dëbojnë forcat pushtuese”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg gjatë një konference për shtyp pas një takimi dyditor të kryediplomatëve të NATO-s.

Stoltenberg tha se lufta e pakuptimtë duhet të përfundojë, ndërsa paralajmëroi se në vend të një tërheqjeje racionale, NATO sheh një rigrupim dhe ripozicionim të forcave ruse që lëvizin nga Ukraina veriore në atë lindore.

“Ne parashikojmë një betejë të madhe në Donbas”, tha ai, duke theksuar emergjencën e ndihmës së NATO-s për Ukrainën.

“Vendet e NATO-s do të rrisin mbështetjen humanitare dhe financiare për Ukrainën, dhe do të ofrojnë ndihmë për sigurinë kibernetike dhe pajisje mbrojtëse për t’u mbrojtur nga kërcënimet kimike dhe biologjike”, tha Stoltenberg.

“Përgjegjësia kryesore e NATO-s është të mbrojë të gjithë aleatët dhe të parandalojë që konflikti të përshkallëzohet përtej kufijve të Ukrainës”, shtoi ai.

Stoltenberg tha gjithashtu se konflikti do të ketë “efekte afatgjata” në sigurinë e NATO-s dhe aleanca duhet të përshtatet me realitetin e ri.