“Në Mariupol nuk ka mbetur asgjë, është shkatërruar plotësisht, qyteti paqësor përjetoi dhunën e ushtrisë ruse. Bombardimi i çdo këndi, akoma dhe teatrit me civilë të pafajshëm është vepër e pilotëve rusë që shikonin qartë ku godisnin”. Këto kanë qenë disa nga fjalët e mesazhit të Presidentit të Ukrainës Zelensky drejtuar deputetëve grekë. Ai ka folur sot në një lidhje në parlamentin e shtetit helen për ato çfarë kanë ndodhur në Ukrainë, duke iu kërkuar ligjvënësve grekë të ndalojnë aksesin e rusëve në çdo port.
“Liri ose Vdekje, parrulla e revolucionit grek e 1821, të njëjtën kemi dhe ne sot.
Përveç Mariupolit, kërcënohet dhe një tjetër qendër e homogjenëve grekë, Odesa. Sot Odesa është e qetë sepse ushtria jonë arriti të neutralizojë ushtrinë ruse. Një ushtri që solli vdekje, shkatërrim, në territorin tonë. Ushtria ruse qëlloi dhe eliminoi civilë në disa zona me qëllim, me plan të caktuar, jo rastësisht. Dhembja është e madhe, e thellë. Ushtria ruse dërgon civilë në Rusi, ne duhet të shpëtojmë sa më shumë mundemi. Rusët duhet dhe do japin llogari për krimet e sotme. Ndihmoni zonat me elementin helen, Mariupoli dhe Odesa, siç u themelua në Odesa për revolucionin grek kundër turqve”, tha Zelensky.
Ai falënderoi më tej Greqinë për ndihmën humanitare, mbështetjen e vazhdueshme dhe sanksionet kundër Rusisë. “Por nuk mjafton. Ju lutem, përdorni influencën tuaj në BE për të siguruar me mbështetje më të organizuar e të madhe paqen në Mariupoli. Rusët u zgjuan nga ëndrra se mund të sundojnë lehtë Mariupolin. Duhet të zhdukim përgjithmonë dhe njëherë e mirë forcat ruse nga territori ukrainas. Si gjithmonë sulmuesit humbasin dhe kjo do të ndodhë edhe këtu. Le të flasim hapur, ky është një sulm kundër Europës, lufta ka shkaktuar probleme dhe mungesa në energji, lëndë djegëse, është koha të mbyllim derën Rusëve në çdo aspekt, jo sanksione të kufizuara, jo vetëm sanksione bankare. Ndaloni aksesin e Rusëve në çdo port, në çdo hyrje të BE-së”, tha Zelensky.
Me duartrokitje të gjatë u përshëndet fjalimi i presidentit Zelenski në parlamentin grek. “Rroftë Ukraina, rroftë Liria. “Me fjalën emocionuese të presidentit Zelenski shprehim solidarizimin me popullin ukrainas”, përfundoi seancën kryetari i parlamentit grek, Konstandinos Tasulas Në vijim në seancë 2 ukrainas dhe 2 grekë të Ukrainës folën për horrorrin e luftës në zonë duke dhënë një përshkrim me detaje të ditëve nën pushtimin rus.