Diskutimet brenda Grupit Parlamentar të PD, për qëndrimin që do të mbajnë në lidhje me negociatat me PS për zgjedhjen e Presidentit të ri, dështuan. Edhe këtë herë shkak u bënë problemet e brendshme të PD dhe debatet mes Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, injoroi ‘Rithemelimin’ si pjesë të diskutimeve për zgjedhjen e emrit të Presidentit të ri, duke thirrur Alibeaj, ndërsa Berisha reagoi sot duke e cilësuar atë si ‘peng të mazhorancës’. Në mbledhje Berisha iu drejtua Alibeajt duke i thënë se ai nuk është i zgjedhuri i Grupit Parlamentar, por i Taulant Ballës, ndërsa ai iu përgjigj se nuk është peng i askujt.

I ashpër ka qenë reagimi i Flamur Nokës, i cili i kërkoi Alibeajt që të mos i ndërpriste fjalën Berishës.

Pas mbledhjes, ish kryeministri Sali Berisha foli para mediave duke thënë se nuk do ta pranonte kurrë një proces negociatash me PS-në kur këto të fundit e kanë zgjedhur vetë Alibeajn. Përveç kësaj, shtoi se kryeministri Edi Rama do e zgjedhë vetë emrin e presidentit pavarësisht nëse është propozuar apo jo.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar, Enekelejd Alibeaj i konsideroi debatet e Berishës si ‘zhurmë’, teksa tha se ai merr pjesë në mbledhje edhe pse nuk ka asnjë rol. Për diskutimet për Presidentin e ri, Alibeaj tha se do të ketë një mbledhje tjetër ku do të merret mendimi i të gjithë deputetëve e më pas do të dilet me një qëndrim të sintetizuar.

Debati në mbledhje:

Berisha- Alibeajt: Je i përzgjedhur i Taulant Ballës dhe nuk je i përzgjedhur nga grupi parlamentar. Edhe Rama s’të përfill. Të mbajnë peng. Nuk ke mandat sepse je i zgjedhur i Taulant Ballës. Ai që ndihet opozitar i vërtetë nuk mund të imagjinojë kurrë të marrë pjesë në një proces mafioz të zarfave sekrete.

Alibeaj: S’jam peng i askujt.

Ndërhyn Flamur Noka me ton të lartë duke thënë: “Mos i ndërprit fjalën”.

Nga ana tjetër, Albana Vokshi i ka kërkuar Enkelejd Alibeajt që të bëjë kërkesë në Kuvend për 5 deputetët e përjashtuar (Sali Berisha, Flamur Noka, Edmond Spaho, Albana Vokshi dhe Luan Baçi) që të cilësohen si deputetë të grupit parlamentar të PD.

Vokshi: Jemi 5 deputetë të përjashtuar. Duhet të bëni kërkesën në Kuvend.

Alibeaj: Nuk zhbëj dot unë me vullnet personal vendime që janë marrë nga organe të partisë.

Në fund të mbledhjes pritet që PD të dalë me një qëndrim sa i takon ftesës së socialistëve për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri.

Ditën e djeshme, mazhoranca dhe opozita kanë gjetur gjuhën e përbashkët në fazën e parë për zgjedhjen e presidentit të ri, ndonëse vetëm sa i përket aspekteve proceduriale.

Me kërkesë të opozitës, nga Fatmir Mediu dhe Mesila Doda, 2 kryetarëve të grupeve parlamentare, u ra dakord që mbledhja e parë e Konferencës së Kryetarëve të mblidhet rreth datës 4 ose 6 maj, e jo 29 prill siç e kishin planifikuar më herët socialistët.

Kjo u ra dakord pas takimeve që u mbajtën në Kryesinë e Kuvendit me Taulant Ballës e Elisa Spiropalit nga PS dhe Fatmir Mediu dhe Mesila Doda nga opozita, takim që ka zgjatur rreth 45 minuta.

Nga të gjithë emrat e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste për Presidentin e ri, vetëm 67 prej tyre janë seleksionuar nga grupi negociator për t’u diskutuar më tej mes vetë mazhorancës, grupeve të tjera parlamentar dhe shoqërisë civile. Kryeministri Edi Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë që ata të dalin në raundet e para me më shumë se 1 kandidaturë. Ditën e djeshme, Edi Rama tha se socialistët kanë vetëm 2 kushte, që të jetë një figurë normale dhe jo politike, pra sipas tij e kundërta e Ilir Metës.

Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës.