Jo vetëm buzëqeshje dhe festë pas titullit të fituar me PSG-në. Për Neymar-in ka qenë koha edhe për të bërë një saktësim dhe për t’i dhënë një përgjigje të ashpër tifozëve që, pas humbjes në Champions League, kanë fërshëllyer atë dhe pjesën tjetër të skuadrës.

Siç ka raportuar ESPN, sulmuesi brazilian nuk ka qenë i kënaqur me zgjedhjen e tifozëve për të mos e mbështetur si më parë klubin.

“Sinqerisht, unë mund të them se kam edhe tre vite kontratë këtu dhe se do të qëndroj”, ka thënë Neymar. “Kështu që tifozëve mund t’u them se ose të mos fërshëllejnë më, ose do të duhet të marrin më shumë frymë për ta bërë…:.

Fjalë që do të shkaktojnë sigurisht shumë debate dhe që nuk do të kalojnë pa u vënë re nga ana e tifozëve të Paris Saint-Germain.

Gjithsesi, PSG ka shkruar një faqe të rëndësishme të historisë së klubit duke fituar titullin e dhjetë, po aq sa Saint-Etienne. këto janë dy skuadrat që kanë fituar më shumë në Francë.