Ministrja për Standardet e Shërbimeve Milva Ekonomi, në takimin e zhvilluar ditën e sotme informoi qytetarët se që nga data 1 maj do mbyllen sportelet fizike të institucioneve dhe 95% e shërbimeve publike do të kalojnë online.

Gjatë fjalës së saj Ekonomi tha se:” Që në fillim të mandatit qeveria socialiste e ka pasur shumë të rëndësishme që të ofrojë shërbime të shpejta, të lehta dhe pa burokraci. Këtë qasje e ka pasur për ta arritur në 30 prill me mbylljen e sporteleve fizike dhe ofrimin e shërbimeve publike përmes platformës digjitale e-albania, të mbështetur në një objektiv shumë të rëndësishëm që është barazia e qytetarëve para ligjit, pavarësisht se kush e kërkon shërbimin, ku jeton ai dhe nëse ka nevojë për një shërbim të shpejtë, të gjithë e marrin njësoj këtë shërbim dhe në të njëjtën mënyrë.”

“Përmes digjitalizimit të shërbimeve është synuar arritja e një objektivi tjetër ai për eliminimin e korrupsionit, përmes shmangies së kontaktit fizik midis qytetarëve dhe punonjësve dhe duke shmangur radhët e gjata” u shpreh ministrja.

Falë revolucionit digjital të shërbimeve publike dy vite më parë, Shqipëria renditet e para në rajon në raportet ndërkombëtare për qeverisjen digjitale, duke lënë pas edhe disa shtete të BE-së.

Sportelet do të qëndrojnë ende hapur për të ofruar vetëm ato shërbime, për të cilat është e domosdoshme prezenca fizike e qytetarit apo mjetit.

Ndërkohë, sportelistët nuk do të largohen nga puna, por do të jenë në dispozicion të qytetarëve dhe bizneseve përmes sistemit elektronik.