Kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Luhanskut, Serhii Haidai, ka njoftuar se tashmë 80% e territorit të Luhanskut është nën kontrollin rus. “Nëse Ukraina nuk reziston, Rusia me siguri nuk do të ndalet këtu dhe do të vazhdojë më tej”, është shprehur ai. Duke folur për CNN, Haidai ka shtuar se është në të njëjtin mendim me Rusinë se faza e dytë e luftës ka filluar. Gjithsesi ai ka sqaruar se ende nuk është arrituir një pushtim i plotë.

“Sigurisht që rusët po përpiqen të përparojnë. Ne kemi vendosur mbrojtjen tonë në shumë qytete. Ata po përpiqen të rrethojnë trupat tona, shumë gjëra të keqija po ndodhin atje… por ata nuk kanë pasur sukses deri tani. Kemi një situatë shumë të rëndë këtu. I gjithë territori i Luhanskut po bombardohet. Nuk ka qytet të sigurt… Ne e kuptojmë se qeveria ruse do të ecë përpara dhe do të shkatërrojë gjithçka në rrugën e saj. Pra, ajo që ne po bëjmë është të përpiqemi të evakuojmë të gjithë civilët që do të mundim”, tha ai.

Haidai u ka bërë thirrje civilëve të mbetur që të largohen nga rajoni lindor i Ukrainës ndërsa luftimet intensifikohen. Ai tha se nga 350,000 njerëz që jetonin në territorin ukrainas të Luhansk para luftës, vetëm rreth 70,000 kanë mbetur, raportoi CNN.

Guvernatori ushtarak i bëri thirrje Perëndimit që të sigurojë më shumë pajisje ushtarake për t’i ndihmuar ata në mbrojtjen e qiejve dhe tokës së Ukrainës.
Kur u pyet se si e sheh përfundimin e luftës, Haidai tha se ka të ngjarë që fundi të vijë si pasojë e një marrëveshjeje politike, por shtoi se rusëve nuk mund t’u besohej.

“Ata gënjejnë gjatë gjithë kohës. Të gjithë e dinë për këtë. Askush nuk i beson. Të gjithë e dinë se një marrëveshje me Rusinë nuk ia vlen sa letra në të cilën është shtypur. Rusia është armiku i gjithë botës sot, jo vetëm i Ukrainës. Ambiciet e tyre përfshijnë shumë më shumë se vetëm Ukrainën”, tha ai.