Nga Ardit Rada
Një peticion i nisur online kërkon largimin e ambasadores amerikane Yuri Kim. Bëhet fjalë deri tani, për rreth 2,300 firma anonime që e akuzojnë atë se “stili diplomatik i saj nuk përfaqëson vlerat e demokracisë së SHBA”. Qysh nga numri i paktë i firmëtarëve, nga metoda anonime e linçimit dhe nga ata që e kanë shpërndarë peticionin, kuptohet se bëhet fjalë për mbështetës të Sali Berishës që u dhimbset ai dhe familja e tij.
Kjo konfirmohet fare thjeshtë edhe për faktin se peticioni u bë i njohur për opinionin publik kur një ish-ministër i LSI-së që fliste në podiumet e “Rithemelimit”, e shpërndau atë duke e shoqëruar me fjalët “Po jam dakord”.
Pa dashur të merrem me detaje të tjera nga përmbajtja e peticionit, rasti të sjell ndërmend atë pjesë absurde të historisë së Shqipërisë, që pas i kishim mjelur mirë e mirë jugosllavët, sovjetikët e kinezët, nisëm t’i qëllonim me ‘gurë’ në emër të parimeve. Ja edhe sot, si doktori ashtu edhe ish-ministri në fjalë, pasi morën mbështetjen amerikane sa ishin në pushtet, sot kanë marrë rolin e gjykatësit dhe vendosin nëse ‘imperialistja’ Yuri Kim po sillet me stil, apo pa stil.
Ky peticion është ‘shpikja’ më e re në hallin e Berishëve kundër SHBA-ve, për qëllime krejt personale. Është pasojë e nevojës për të sajuar mjete të reja lufte, përderisa as nga Gjykata e Parisit, prej muajsh s’po vjen asnjë lajm i mirë për ta.
Nga Antony Blinken, te Gabriel Escobar… Nuk mbeti zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit pa ua bërë të qartë se ambasadorja në Tiranë përfaqëson politikën amerikane. Nëse s’u pëlqen, mund të flejnë gjumë derisa Evi Kokalari të sjellë në pushtet Donald Trumpin. Meqenëse mendojnë se Joe Biden e ka personale me Sali Berishën.