Nga Artur Ajazi

Sali Berisha, ka arritur të rimarrë selinë, muret, tullat, dyert, çelësat e tyre, zyrat, logon, rojen, por jo vendosmërinë e grupimit të Lulzim Bashës për ti rezistuar atij. Enkeleid Alibeaj ka apeluar vendimin e Zhukrit të Berishës, edhe pse ish-lideri historik tha se “ajo gjë nuk do të ndodhë kurrë”.

Tashmë brënda asaj partie, është krijuar opozita e opozitës, dhe ka gjasa të krijohet edhe një grupim i ri në ditët e ardhshme. Afrimi i ngutshëm i zgjedhjeve “lokale” në atë parti, po shoqërohet me takime skutash të emisarëve të Rithemelimit me ish-kryetarët apo dhe kryetarët e degëve në rrethe. Sali Berisha ka zgjedhur qëllimisht, metodën e gabuar për të zgjidhur gjoja “krizën” e krijuar artificialisht në partinë e tij. Ai kurrë nuk ka patur, dhe nuk ka edhe sot si qëllim, krijimin e institucioneve të pavarura që premtoi në 11 Dhjetor(që nuk kanë ekzistuar kurrë) brënda asaj force politike, por vazhdimin e rrënimit të saj.

Shpallja e kandidimit për kryetar i Partisë Demokratike, në një kohë kur baza e saj është e çoroditur, strukturat nga qendra në rrethe janë përçarë, dhe kushti i vetëm i ribashkimit është tërheqja e tij, mbetet një kurajo e madhe. Berisha e ka vendosur ç’do të bëjë. Do të vendosë në rrethe beniaminët e tij, do të largojë “me votën e lirë” kryesinë e tanishme, do të flakë bashistët, do të bëhet kryetar, dhe do të mbretërojë mes fushëbetejës brënda partisë tij. Parashikohet që procesi i nisur të zgjasë disa muaj, pasi nuk është e lehtë të ribashkosh atë parti kur, brënda saj gjendet “fryma dhe hija” e Berishës. Gjithçka e nisur nga 9 Shtatori 2021, po shkon në funksion të planit të ish-liderit historik për tu rikthyer atje ku ishte, me ata që kishte, dhe me autoritetin e dikurshëm. Sali Berisha kurrë nuk do të pranojë brënda asaj partie fraksionet, duke i kushtëzuar ata me “20 per qind të mbështetjes nga baza”.

Falangat e tij, kanë arritur të “tredhin” cilindo që mendon dhe vepron ndryshe nga ai në Grupimin e Rithemelimit. Në rrethe ka nisur mbledhja e “firmave” me emrat e atyre që do të quhen nesër “shumica e anëtarësisë”. Janë sekuestruar gjithçka ishte në regjistrat e selisë, dhe shumë shpejt do të publikohen “arritjet” e para të Grupimit të Rithemelimit mbi nismën e “ribashkimit me votë rreth udhëheqësit të partisë”. Brënda Majit, në Partinë Demokratike me kryetar Sali Berishën, do të kemi opozitën e tij, opozitën e Lulit, dhe opozitën e atyre që nuk duan as Berishës dhe as Bashën. Nevoja më e ngutshme në politikën shqiptare sot, mbetet krijimi apo dalja në skenë e një opozite të re, larg asaj të dikurshme, larg SHQUP-it, larg dogmave me “properëndimorë” të kamufluar, për ti dhënë vendit dinjitetin e munguar.

Partia Demokratike e Sali Berishës sot, mbetet “njolla e murrme” e politikës më destruktive në 3 dekadat demokraci, dhe aspak përfaqësuesja dinjitoze e opozitës në politikën shqiptare. Ajo parti, kurrë nuk arriti të ngjasojë të paktën nga forma (pasi nuk bëhet fjalë nga përmbajtja) me Partinë Socialiste, e cila nuk ndalet në procesin e reforimit të saj strukturor kongres pas kongresi. PD, ka qenë dhe është “pusi” i Saliu Berishës. Ç’ka “pikon” prej tij, janë zërat e shtuar që gjithsesi ai kurrë, nuk do të mund ti ndalë derisa të jetë kryetar i asaj partie.