Një nga panelistët e “Rinisë dhe Inovacionit”, tha gjatë zhvillimit të Kongresit të Partisë Socialiste, se në Shqipëri tregu i punës në sektorin digjital po rritet gjithmonë e më shumë dhe më shpejt.
Fokusi i qeverisë ka qenë tek të rinjtë dhe te mundësimi i edukimit në teknologji dhe informacion, duke krijuar hapësira të reja për të mësuar që në vegjëli programim, përdorimin e teknologjive të reja dhe teknikave të reja digjitale.
Panelisti tha se: “Kërkesa sot deklarohet të jenë për 300-400 të rinj që janë aktualisht të publikuara, por mendoj që kërkesa e vërtetë është shumë më e madhe. Janë rreth 3600-3800 punëkërkues për “software development” vetëm në Linkedin, por ka edhe shumë më shumë njerëz që janë jashtë Shqipërisë, të cilët si qytetarë shqiptarë duan të jenë pjesë e këtij tregu”.
Më tej në panel u prezantuan punëkërkues për këto fusha, teksa ministrja e Shtetit për Rininë Bora Muzhaqi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj moderuan këtë panel duke diskutuar politikat e qeverisë në drejtim të zhvillimit të edukimit të rinisë për t’iu përshtatur sa më mirë kërkesave të tregut të punës.