Mirela Kumbaro në një deklaratë për mediat nga Pogradeci ka hedhur poshtë pretendimet se Parku i Butrintit do të jepet me koncesion për një periudhë 10-vjeçare një fondacioni të huaj. Ajo theksoi se parku është pronë publike që menaxhohet dhe administrohet nga ministria e Kulturës.
Sipas saj ministria e Kulturës në bazë të ligjit të trashëgimisë kulturore të vitit 2018 po krijon një fondacion sipas ligjit të OJF-ve që prej vitesh është në fuqi në Shqipëri për të rritur investimet kulturore me statusin jofitimprurës, ndërkohë që cilëson si të pavërtetë dhe keqinformim për opinionin publik faktin e një kontrate koncesionare apo mospublikimin e dokumenteve.
Debate mbi projektligjin për miratimin e marrëveshjes së menaxhimit të parkut kombëtar të Butrintit ka qenë prezent edhe sot në Komisionin e Politikës së Jashtme nga përfaqësues të opozitës të cilët janë shprehur se janë akoma të paqartë për planin e menaxhimit mes ministrisë së kulturës dhe fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
“Nuk ka asnjë dhënie me koncesion të parkut të Butrintit. Ai është pronë publike që administrohet dhe menaxhohet nga ministria e Kulturës. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë. Me një ligj të posaçëm, Ministria e Kulturës, në bazë të ligjit të trashëgimisë kulturore, po krijon një fondacion sipas ligjit të OJF-ve. Është mundësi ligjore që na jep për të rritur investimin në njësitë kulturore. E bën çdo muze dhe teatër, me kusht që të gjejë një partner që të japë para për investime kulturore pa qëllime fitimprurëse. Nuk bëhet fjalë për kontratë koncensionare, por për një marrëveshje. Çdo term tjetër, është abuziv.”, tha Kumbaro.
Mirela Kumbaro ishte sot në Pogradec në një takim fizik me anëtarë të Komitetit të Përbashkët të Menaxhimit të Rajonit të Liqenit të Ohrit, në kuadër të vijueshmërisë së angazhimit dhe bashkëpunimit të përbashkët ndërmjet vendit tonë dhe Maqedonisë së Veriut, lidhur me pasurinë ndërkufitare të Rajonit të Liqenit të Ohrit.