Kryetari aktual i Partisë Demokratike për degën e Elbasanin, Eugen Isai në një konference për mediat ka kundërshtuar riorganizimin që po bën Sali Berisha në bazë. Isai thotë se në fakt ndryshimet që po bën Berisha janë thjesht emërime, pasi Grupi i Rithemelimit ka vendosur si kryetar grupseksonesh personat që ata kanë dashur.
Isai thotë se Grupi i Rithemelimit thjesht po bën propagandë duke thënë se proceset po bëhen përmes votës së lirë, por në fakt në bazë po ndodh krejt e kundërta. Në 31 vite ekzistencë të Partisë Demokratike, Isai thotë se për herë të parë po bëhen emërime.
“Si detyrim për demokratët e bashkisë Elbasan jam këtu bashkë me një pjesë të kryesisë për të folur për procesin e emërimeve që grupi i rithemelimit ka bërë në strukturat e PD në Elbasan. Them emërime sepse për herë të parë në 31 vite në këtë forcë politike janë bërë emërime. 217 kryetarë seksionesh në bashkinë Elbasan në partisë demokratike nuk janë votuat janë emëruar, nga 43 grup seksione, 42 janë emëruar. I vetmi grup seksion ku është bërë votim, ku drejtuesit e foltores nuk ranë dakord për njëri-tjetrin për emërimin. Në bashkinë Elbasan ka vetëm emërime, është një proces fals, ne nuk kemi qenë, nuk jemi he nuk do të jemi pjesë e këtij procesi. Ky proces përçan akoma më shumë PD. Sfidoj drejtuesit e foltores të më provojnë të kundërtën. I sfidoj përveç një grupseksioni të votuar, nuk ka votime askund”, tha Isai.
Kujtojmë që pas vendimit të 25 marsit ku Gjykata e Tiranës njohu ndryshimet e statutit të Grupit të Rithemelimit, Sali Berisha ka nisur sipas tij rioroganzimin e degëve duke zgjedhur krerët e grupseksioneve. Grupi i Rithemelimit ka nisur edhe zgjedhjen e kryetarëve në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Deri më tani Grupi i Rithemelimit ka zgjedhur kryetarët e rinj në, Mallakastër, Fier Fushë-Krujë dhe Selenicë.