Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi vuri theksin sot te rëndësia e projekteve energjetike që po zbatohen në vend, ndërsa shtoi se “në aspektin e sigurisë kombëtare, në rast se ne sigurojmë energji elektrike për vete dhe të tjerët bëhemi më të rëndësishëm, më strategjikë, më të fortë dhe më të sigurt në mbrojtjen e integritetit tonë territorial”.
Gjatë fjalës në Kuvend, Peleshi theksoi rëndësinë e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (Agjencia e zbatimit të projektit) dhe KFW Frankfurt am Main (KfW), për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”.
Sipas tij, sektori energjetik përbën një infrastrukturë kritike të rëndësishme në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, suke qenë pjesë e fortë e sigurisë kombëtare.
“Në kohën e sotme të tronditjes së paqes botërore për shkak të agresionit rus në Ukrainë, duhet të kuptojmë se tronditja është jo vetëm ushtarake, por edhe ekonomike. Rusia është një furnitor i rëndësishëm për Europën. 50 % e naftës në Europë vjen nga Rusia. Varësia e furnizimit me burime energjetike nga Rusia vazhdon të jetë e madhe dhe është një çështje për t’u zgjidhur”, tha ai.
Peleshi vlerësoi se “puna që ka bërë qeveria shqiptare drejt pavarësisë energjetike është një punë vizionare e filluar në një kohë kur nuk e dinim që do të kishte një luftë të tillë”.
“Sot që flasim jemi me projekte në zbatim si ky që po miratojnë sot, por edhe të tjera që e bëjnë tani një realitet të afërt pavarësinë energjetike, por edhe diversifikimin e energjisë. Sot nuk flasim më vetëm për energji hidrike, por për vënien në punë shumë afër të TEC-it të Vlorës”, tha ai.
Peleshi kujtoi se “vetëm TEC-i i Vlorës është një nga dështimet më spektakolare të një qeverie, pasi janë investuar 100 milionë euro me kredi nga taksat e qytetarëve dhe ai TEC nuk ka punuar asnjë ditë”.
“Për më shumë se 1 dekadë nga dita kur ka mbaruar zbatimi, ai TEC nuk ka punuar asnjë ditë të vetme. Sot po vjen dita që të vihet në punë duke shfrytëzuar burimin e gazit të TAP apo të gazit të lëngshëm që do të vijë nga SHBA”, tha ai.
Peleshi theksoi se sot flasim jo vetëm për të plotësuar nevojat tona me energji, por edhe se si Shqipëria mund të furnizojë nga portet e saj me gaz të lëngshëm edhe vendet e tjera të Europës.
“Pra, ne jo vetëm sigurojmë nevojat tona por kemi diversitet, flasim për ferma solare si ajo e Karavastasë dhe Spillesë me kapacitete të rëndësishme që i shtohen mozaikut të burimeve të ndryshme të energjisë elektrike”, tha ai.