Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i ka thënë botës që të mos nënvlerësojë rreziqet e konsiderueshme të një konflikti bërthamor.

I intervistuar nga televizioni shtetëror rus, ai tha se furnizimi i Ukrainës me armë nga NATO-ja “në thelb” nënkupton se aleanca e Perëndimit është e përfshirë në luftë me Rusinë, në mënyrë të tërthortë.

I pyetur për rëndësinë e shmangies së Luftës së Tretë Botërore dhe nëse situata aktuale është e krahasueshme me Krizën Kubane të Raketave më 1962, Lavrov tha:

“Rreziqet tani janë të konsiderueshme. Nuk do të dëshiroja të vlerësoja këto rreziqe në mënyrë artificiale. Shumë do ta dëshironin këtë gjë. Rreziku është serioz, real. Ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë”.

“NATO, në thelb, është e përfshirë në luftë me Rusinë në mënyrë të tërthortë. Lufta nënkupton luftë”, ka shtuar Lavrov.