Nga Mero Baze/
Zakonisht kur Ilir Meta lajmëron papritur konferencë shtypi, sidomos në fundjavë, duhet të shikosh çfarë ka ndodhur gjatë ditës. Dhe për të kuptuar kush ja prishi fundjavën e tij të sotme, duhet të shikosh dy fjalime në Kongresin e socialistëve.
I pari, ai i Edi Ramës, që nuk e zuri fare në gojë, por i bëri thirrje SPAK të kthejë sytë nga korrupsioni i Sali Berishës, si zyrtar i certifikuar nga SHBA për minim të demokracisë, korrupsion madhor bashkë me familjarët e tij dhe shantazhim të sistemit të drejtësisë, si dhe fjalimin e Erion Veliajt, që portretizonte Ilir Metën si kandidat për këto sanksione, duke përmendur dehjet e tij me alkool nëpër kafene dhe sulmet ndaj SHBA.
Për Ilir Metën të dyja fjalimet janë një dhe të “orkestruara” kundër tij.
I pari, pra fjalimi i Edi Ramës, i fut atij paranojën se SHBA do shtojë presionin mbi SPAK ndaj krimeve të Sali Berishës, me shumë prej të cilave lidhet vetë Ilir Meta, siçc është 21 Janari dhe presioni mbi drejtësinë për të mos u hetuar. Por do të mjaftonte vetëm ideja që drejtësia po futet nën presion që të prekë Sali Berishën, që Ilir Meta të alarmohej dhe të bëhej gati për sulm.
I dyti, fjalimi i Erion Veliajt, e bën dhe më paranojak, pasi atë që nuk e përmend Edi Rama, e shkoqit ai, duke e kthyer Ilir Metën në një tjetër kandidat ndaj të cilit duhet të hetojë drejtësia.
E thënë shkurt, thirrjet e Edi Ramës që drejtësia të hetojë Sali Berishën si një politikan nën sanksionet e SHBA dhe mëshimi i argumentit se vet socialistët e kanë lënë të lirë drejtësinë të veprojë kundër zyrtarëve të tyre të korruptuar, plotësuar me akuzat e Veliaj ndaj Ilir Metës si anti-amerikan i dehur rrugëve, janë arsye e mjaftueshme që Ilir Meta të ndjehet i pasigurtë dhe të shpërthejë.
Nëse shikon fjalimin e tij në konferencën për shtyp, duke shpjeguar materialet grafike të LSI shpjeguar në dhjetëra emisione televizive, gjithë shqetësimi ishte që të mos konsiderohet sikur socialistët janë ndëshkuar nga drejtësia. Shqetësimi i tij real është se nëse socialistët konsiderohen si një parti që lejon drejtësinë të hetojë dhe veprojë, atëherë radhën e ka ai dhe Sali Berisha.
Ndaj gjithë shqetësimi i tij i sotëm dhe ai që paralajmëroi në fund të mandatit të tij presidencial, është që ai të bërtasë përditë qe socialistët nuk po ndëshkohen nga drejtësia dhe që të nënkuptojë se nuk e ka ai dhe Sali Berisha radhën për t’u dënuar.
Kjo natyrisht e rrit presionin politik mbi drejtësinë dhe e vë në pozitë të vështirë SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë, pasi nuk ka rëndësi se çfarë thotë Ilir Meta kur flet për drejtësinë. Sa herë ai hap gojën për drejtësinë, 90 për qind e shqiptarëve kanë në mendje të njëjtën fjali në kokën e tyre: “Po këtë si e lënë akoma të lirë”.