Këngëtarja Dua Lipa nuk harron asnjëherë të përmendë me krenari origjinën e saj.

Në intervistën e radhës ajo u ndal për të shpjeguar arsyen pse u largua nga Kosova në moshën 15 vjeçare për në Londër.

Duke u kthyer pas në kohë, ajo kujtoi se si prindërit e saj u larguan nga Kosova jo nga dëshira, por nga nevoja për shkak të luftës. Dua thotë se prindërit e saj kanë kaluar një kohë të mirë në Londër, por gjithmonë kanë pasur parasysh se do të dëshironin të ktheheshin në Kosovë në një moment dhe kjo ndodhi kur ajo ishte 11 vjeç.

Pas kthimit në Kosovë, Dua tregoi se e kishte të vështirë të bënte shkollën në gjuhën shqipe sepse ajo ishte mësuar me gjuhën e folur por mësimet dhe detyrat ishin shumë herë më të vështira.

Në moshën 15-vjeçare ajo vendosi të transferohej në Londër për të nisur karrierën e saj artistike, por ajo rrëfen se në atë kohë përdori justifikimin e shkollës për të marrë lejen e prindërve.

“Kur jetoja në Kosovë nga mosha 11 deri në 15 vjeç, më pëlqente të merresha me muzikë, por thjesht e ndjeja se nuk kishte asnjë mënyrë që të mund ta arrija me të vërtetë duke qenë në një vend ku gjithçka po ndodhte. Ndihesha sikur duhej të isha në Londër për ta bërë realitet ëndrrën time. Kjo është ajo që ndjeva se duhej të bëja dhe ku duhej të isha”-tha më tepër Dua.