Është inauguruar në Tiranë Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. E ndërtuar në një hapësirë të vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës me grantin prej 1 milion euro, të vënë në dispozicion nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim, Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, do të përmirësojë koordinimin dhe komunikimin e strukturave të Sistemit të Mbrojtjes Civile në rastet e Emergjencave Civile.
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj u shpreh se ky vend i zgjedhur në zemër të qytetit tregon dhe vëmendjen që i kushtohet zgjidhjes së problemeve duke hedhur themelet e një vendi serioz. “Ai sherri i famshëm me ata Policët e Bashkisë dhe me ata punëtorë, në fakt nuk ishte zyrë partie, ishte këtu. Por nuk donim ta thoshin derisa të mbaronte kjo punë. Kështu që, ai grushtimi i famshëm që patë ishte si gipsi i këtyre dhomave që sapo hyn te kjo godinë dhe jo ajo e pretenduar. Megjithatë, në nerva e sipër të gjithë bëjmë çudira. Kështu që, dua ta kaloj me humor atë incident. Për të gjithë gazetarët që ishin dhe e panë, e patë që kur hytë në këtë godinë zyra e parë ku po punonin ata punëtorët e shkretë bashkë me policët, ishte në fakt zyra emergjencave civile dhe jo e partive politike. Kështu që, me këtë notë humori dua t’ju falënderoj të gjithëve”, Veliaj.
Duke falenderuar mbështetjen italiane për ngritjen e kësaj qendre, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi bashkëpunimin jo vetëm mes institucioneve shtetërore, por dhe lidhjet kulturore mes dy popujve. Presidenti i Dhomës Italiane Roberto Fico, vuri në dukje raportet mjaft të mira të bashkëpunimit mes dy vendeve. “Edhe Italia është një vend i goditur nga tërmetet. Eksperienca jonë e bashkëpunimit është e shkëlqyer. Ky investim mendoj se do të shërbejë jo vetëm për të shpëtuar jetë, por edhe për të parandaluar katastrofa, si ajo që ndodhi në Shqipëri në 2019 dhe në Itali në disa raste. Ky është fillimi i një udhëtimi që ne do të bëjmë së bashku, i cili do të ketë disa zhvillime me synim arritjen e standardeve evropiane në fushën e Mbrojtjes Civile”.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar për angazhimin e Italisë në situata emergjente dhe kritike si ajo e tërmetit të vitit 2019 apo edhe përgjatë pandemisë COVID- 19. “Ambicia jonë është e madhe, së bashku me bashkinë e Tiranës ne jemi përkrah në këtë hap të parë që do të shoqërohet më tej, nga një program shumë më i madh prej 30 mln euro, në kuadër të një ndihme prej 95 mln euro, dhe këtu Italia ka rolin e liderit. Pra, kemi bërë hapin e parë për të shkuar drejt një sistemi vërtetë modern, bashkëkohor të mbrojtjes civile për t’ju përgjigjur në kohë, krah për krah me bashkitë që janë në frontin e parë me emergjencat civile, çdo lloj fatkeqësie natyrore e për të mbrojtur qytetarët tanë”, u shpreh gjatë fjalës së tij, ministri Peleshi.
Drejtori i Përgjithshëm Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako shpjegoi se Qendra Kombëtare e Operacionale Emergjencave Civile ka kapacitet për 12 operatorë nga forca të ndryshme që janë të përfshira në operacione në terren, sipas ministrive të ndryshme, në varësi të ndodhjes dhe llojit të emergjencës.
Të pranishëm në inaugurimin e kësaj qendre ishte dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, Drejtori i Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim, Luca Maestripieri.