MILAN, ITALY - JANUARY 17: AC Milan coach Stefano Pioli looks on before the Serie A match between AC Milan and Spezia Calcio at Stadio Giuseppe Meazza on January 17, 2022 in Milan, Italy. (Photo by Marco Luzzani/Getty Images)

Kuqezinjtë do ta luajnë ndeshjen e radhës të Serie A kundër Genoa në “San Siro”, mbrëmjen e së premtes. Pas dy barazimeve radhazi kundër Bologna dhe Torino, të besuarit e Piolit panë ndjekësit e tyre të afroheshin sërish.

Kjo nënkupton se kundër ‘rossoblù’ nuk pranohet asnjë gabim tjetër, nëse duan të vazhdojnë të ëndërrojnë titullin. Trajneri i “Djallit” e di mirë këtë dhe në kuadër të ndeshjes në shtëpi e ka karikuar maksimalisht skuadrën e tij, e cila do të mbështetet nga një publik i respektuar (mbi 65 mijë bileta të shitura).

Duke folur në konferencën për shtyp, Stefano Pioli nënvizoi: “Besoj se tifozët janë arma jonë shtesë, ata na japin mbështetje të vazhdueshme. Duhet të përfitojmë nga kjo për të bërë mirë që tani deri në fund, për të arritur objektivin tonë. Djemtë luajnë për të fituar, kur dështojmë ka zhgënjim, por e transformojmë në vendosmëri, sepse e dimë se ka pak për të bërë më mirë.

Kam parë shumë motivim, kemi punuar mirë dhe me besim. E dimë që kemi për të bërë një përpjekje shtesë. Ne besojmë te titulli, sepse po luajmë futboll energjik dhe gjithmonë përpiqemi të dominojmë në fushë. Është e drejtë të besojmë, sepse jemi të fortë, kemi qenë përpara të gjithëve për një kohë të gjatë. Të gjithë së bashku jemi më të fortë, mund t’i luajmë shanset tona deri në fund”.

Trajneri i kuqezinjve më pas bëri vlerësimin e lojtarëve në dispozicion: “Ibrahimovic do të jetë ende i padisponueshëm, shpresojmë ta kemi për fundin e sezonit. Kemi rikuperuar Bennacer dhe Rebic, të cilët mund të luajnë nga minuta e parë, ose të marrin përsipër. Do të shohim nesër. Leao ka cilësi të shkëlqyera, finalizimi është i mirë për të”.

Sipas Piolit, titulli nuk është thjesht një ëndërr: “Kjo varet nga ne, sepse varet nëse do t’i fitojmë ndeshjet apo jo. Llogaritjet bëhen në fund; ne kemi cilësitë për të fituar shumë pikë. Sezoni i Milanit është ende i pjesshëm, nuk është momenti për të bërë një bilanc. Duhet të jemi të përqendruar deri në fund”.

Gjatë konferencës për shtyp pati pyetje për Ibrahimovic dhe të ardhmen e sulmuesit suedez: “Me Ibrahimovic nuk ka asgjë që nuk shkoi keq. Ka probleme fizike, që vijnë. Shpresojmë ta rikthejmë në ndeshjet e fundit. E ardhmja? Nuk mendoj se ka ndryshuar asgjë. Ibra ka inteligjencën dhe guximin për të bërë zgjedhjen më të mirë; ne do të jemi me të çfarëdo zgjedhjeje që të bëjë”.