Fatmirësisht babai i tij shpëtoi, pasi e njohu një grek nga Filati dhe ndërhyri në momentin që ushtari donte ta vriste.

Familja e tij kishte një djalë që ishte partizan, ndërsa një djalë tjetër u zhduk gjatë masakrës. Por, vite më vonë mësuan se e kishte shpëtuar një grek.

“Ish-sarakaçanë, vllehë, grekë që na kanë gjuajtur me gurë e me ç’të mundnim, mezi shpëtuam”, u shpreh Muharrem Mezani, i mbijetuar i masakrës së Çamërisë.

Vjeshta ishte e ftohtë atë vit. Për të shmangur ndonjë takim me forcat zerviste nuk kaluan nga Qafë Bota por nga fshati Koskë. Një ndër fshatrat e fundit të Çamërisë në Greqi, pranë të cilit kalon lumi i Shalsit. Me vete kishin vetëm këtë qilim, që e ruan ende, si të vetmen mbrojtje nga i ftohti dhe acari.
“Atje në kodër ndaluam, ngritëm qilimin, na mblodhi nëna. Kishim një vëlla tjetër që u sëmur i shkreti se binte shumë shi dhe pas nja dy tre ditësh vdiq. Sapo varrosëm vëllain erdhi haberi që vdiq vëllai i nënës në Konispol”, u shpreh Mezani.

Në tentativë për të kapërcyer lumin e fryrë nga shirat, ai rrezikoi jetën.
“Mua më hipën mbi kalë dhe më mori lumi, nëna bërtiste, por na nxori lumi me gjithë kalë dhe shpëtova”, u shpreh ai.
Muhaxhirët me të cilët ishte bashkuar edhe familja e Muharremit, në një udhëtim që zgjat disa muaj, kaloi nga Gjirokastra, Memaliaj dhe ndaluan në Rërëz të Fierit.