Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka treguar disa nga detajet se si do të bëhet përzgjedhja e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë. Nga mbledhja e grupit të PS-së, Balla tregoi se do të ketë disa raunde për bisedime për zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, që një kandidat të merret parasysh, duhet të ketë votat e të paktën 20 deputetëve.

“Siç jeni në dijeni, kushtetuta për zgjedhjen e presidentit të Republikës, është e qartë lidhur me afatet. Mund t’ju them se nga premisa për zgjedhjen e presidentit, duhet të nisë jo më vonë se 24 maj. Ne si grup parlamentar kemi marrë iniciativën bazuar dhe te tradita, i drejtohet kryetarit të Kuvendit për të thirrur konferencën e Kryetareve, që konsiderohet si momenti i parë i procesit të fillimit të zgjedhjes së presidentit. I jemi drejtuar Kryetares së Kuvendit për të iniciuar fillimin e këtij procesi. Është një proces që përbëhet nga dy etapa, një është konsultative dhe tjetra kushtetuese. Brenda 7 ditëve nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, do të duhet të bëhet raundi i parë i bisedimeve. Për president mund të kandidojë një person që ka mbështetjen jo më pak të 20 deputetëve. Në rast se brenda afateve të përcaktuara pas Konferencës, do të ketë kandidat apo kandidate që do të kenë mbledhur të paktën 20 firma, do të shkojmë te raundi i parë. Në raundin e dytë, jo më shumë se 7 ditë nga raundi i parë, do të të vijohet më tej”, tha Balla.