Nga Jakin Marena

Tashmë që mandatit të Ilir Metës në krye të shtetit po i vjen fundit dhe janë hapur procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, mëtonjësit e këtij posti janë aktivizuar rëndë. Pothuajse në të gjitha mediat e emisionet televizive, portalet e rrjetet sociale, në çdo dy postime apo lajme do të gjesh një emër që ose vetëdeklarohet si kandidat për president ose “emetohet” në publik nga të tjerët si i tillë.

Janë të kategorive të ndryshme këta të vetëemëruarit kandidatë “potencialë” për kryetar shteti, disa të “karikuar” nga mendje të mbrapshta për t’i ulur vlerën postit të Presidentit, në mënyrë që gjithë procesi i zgjedhjes së tij të merret si një shaka shqiptare, e domosdoshme për t’u realizuar. Kanë dalë emra të tillë si një historiane autodidakte, Elena Kocaqi, e cila si vlerën më të madhe të saj në fushën e historisë aktuale e deri në lashtësi, ka debatet në rrjetet sociale për preardhjen e shqiptarëve nga pellazgët, por ka modelin e saj dhe në këtë rast, si dhe prejardhjen e të gjithë figurave historike botërore nga Shqipëria. Ka bërë dhe libër madje!

Dhe kandidaturën për presidente e Republikës e hodhi në rrjetet sociale, ku shumëkush në fillim e mori si një përpjekje për të bërë humor apo për të “korrur” ndonjë klikim në facebook dhe formatet e tjera të rrjeteve sociale. Por e kishte seriozisht, sepse e mbrojti fort, duke paraqitur dhe arsyet se pse i duhet një figurë si i saj, Presidencës shqiptare.
Pastaj vetëshpallet dhe Sazan Guri, ekspert mjedisor, kulinarie bio tashmë vonë, dhe në sektorë të tjerë më të “lehtë” për të si historia e metafizika. Pra një shqiptar safi, që i bën të gjitha nga pak e “shumëdimensional” për nga shkalla e aktivitetit të tij shkencor e jetësor. Këtu e mbështet dhe Guri vetëdeklarimin si kandidat për kryetar shteti.

Por propozohet dhe nënkryetari e herë herë dhe kryetar ‘mobile’ i LSI Petrit Vasili, i cili ndonëse në Tiranë në zgjedhjet e fundit mori mbështetjen e 340 votuesve por doli deputet, e rrallë në historinë e Parlamentit shqiptar që të zgjidhesh me kaq pak vota, më pak se sa një senator në shkollat e mesme. Dhe Vasili pretendon se e bën më mirë kreun e shtetit, simbolin e unitetit të kombit dhe bashkimin e të gjitha palëve duke qëndruar po mbi të gjitha palët. Por asnjëherë sipër Metës dhe Kryemadhit, por poshtë tyre. Pritet që të propozohet dhe Ard Daullexhiu, Lek Plepi, “Ujku” i Cërrikut, Curri i “Dhallës” dhe emra të tjerë që po sponsorizohen fort për të qënë në listën e kandidatëve për President të Republikës.

Me një fjalë ka një garë të fortë për t’u dhënë zë këtyre emrave që do të pasojnë Ilir Metën në postin e kryetarit të shtetit. Dhe meqë jemi tek Meta, duke parë historikun e sjelljes politike të tij, nxitjen e kandidatëve për kryeministër përballë Fatos Nanos në kohën e të famshmeve protesta para selisë së PS për “formularin”, siç e kishte nënvizuar saktë njëri nga opionistët tanë që nuk i shpëtojnë këto fakte nga e shkuara, duket se është pikërisht “dora” e Presidentit aktual pas kësaj “zulme” kandidatësh karagjozë. Thjeshtë dhe për të denigruar figurën e presidentit, në mënyrë që emri i ri që do të zgjidhet të jetë në nivelin e fundit të kredibilitetit si kryetar shteti.

Mendojmë se është një përpjekje e pafrytshme kjo, pasi niveli i Presidencës nën drejtimin e Ilir Metës ka rënë kaq poshtë, në taban fare, sa s’ka ku shkon më poshtë, veçse nëse fillon e gërmon me mjete plasëse për të bërë një taban të ri. Ka rënë në disk fare. Meta s’duhet t’ia heqë meritat vetes, sepse e ka realizuar me suksesh të plotë shkatërrimin e kredibilitetit të Presidencës. Por ka dhe një “sagë” prezantimi emrash, mes të cilëve shumë potencialë dhe figura të nderuara që mund të jenë kryetarë shteti dinjitozë dhe që mund të nderojnë çdo komb me prezencën e tyre në këtë post të lartë. Publikohen çdo ditë, kryesisht emra grash që mund të marrin këtë post, duke pasur parasysh dhe gatishmërinë e Edi Ramës, si kryetar i mazhorancës në Kuvend për të pasur një femër në krye të shtetit. Dhe publikimi bëhet duke u kujdesur që të jenë nga të dyja krahët e politikës, për të qënë më të besueshëm.

Nuk po përmendim emra që të mos ndikojmë sadopak dhe ne në arsyen se përse po publikohen përditë këto emra, që kanë zënë faqet e mediave të shkruara, portaleve e mediave sociale, mediave televizive dhe kryesisht emisioneve të përditshme në të gjithë televizionet shqiptare.

Arsyeja që publikohen këto emra në media janë dy: E para për të “djegur” të gjitha këto figura, duke i “linçuar” mbarë e mbrapsht për ditë të tëra në media ku mund të shkruash çfarë të duash. Eshtë fakt i njohur se mënyra më preçize për të djegur një figurë publike e politike, kandidat për një post të caktuar në qeverisje, administratë apo dhe në postet e tjera të larta si ai i Presidentit të Republikës, është ta publikosh në media, referuar “burimeve të brendshme” të “iks” apo “ypsilon” partie, ose “nga informacione se çfarë diskutohet korridoreve” të selisë së “iks” apo “ypsilon” partie.

Pra një mënyrë shumë galante për t’i “djegur” politikisht përmes “promovimit” ende pa filluar procesi i këtyre emrave, i cili për hir të së vërtetës ka procedurë për përzgjedhje, ka kritere për të plotësuar. Sikurse u tha dhe sot nga Rama. Arsyeja e dytë dhe më pak e rëndësishme e publikimit të emrave të këtyre figurave si potenciale për të qënë President, është ajo e thithjes së klikimeve në mediat sociale si dhe të rritjes së shkueshmërisë në ekranet televizive. Pavarësisht se nuk përfitohet kushedi se çfarë.

Por ajo që bie më shumë në sy është debati i zhvilluar në emisionet televizive dhe në media në lidhje me faktin se kush do ketë tagrin e propozimit të kandidaturës fituese për të qënë president i Republikës së Shqipërisë. Opinionistët, panelistët dhe pjesa më e madhe e të përfshirëve në debatin për emrin e Presidentit të ri, deklarohen për një kryetar shteti të propozuar nga PD dhe opozita. Argumenti që rëndom po përdoret në këtë rast është: Po ta marrë PS dhe Presidencën, Edi Rama do grumbullojë pushtete shumë, ndaj duhet me patjetër ta ketë PD-ja Presidencën. LSI nuk e llogarisin, i bëri “naftën” me Ilir Metën dhe duhen vite e vite që të hiqet njolla nga muret e Presidencës.

Por duke mbetur tek argumenti i panelistëve, opinionistëve dhe gjithologëve në këtë vend, për ta gati gati është kthyer në obsesion një kërkesë e tillë për një President të PD, nënkupto këtu të propozuar nga Sali Berisha, i cili realisht e ka dhe drejtimin e PD.

Panelistët tanë të përnatshëm bien dakord të gjithë sa herë që radha i bie që të jetë shumicë PS-ja, që Presidenti duhet të zgjidhet nga krahu tjetër, pra nga PD. Madje dhe kryetari i KLSH. Aq në “trend” është kthyer një obsesion i tillë, sa dhe vetë PS duket sikur është pajtuar që këtu e para shumë viteve me këtë fakt. Pasi PS vetëm një president socialist ka zgjedhur, në vitin 1997, Rexhep Meidanin. Një fizikan të nderuar, që kishte vetëm pak muaj që angazhohej me politikë, duke u zgjedhur sekretar i përgjithshëm i PS, pasi kryetari Fatos Nano ishte në burgun e Berishës.

Presidentët e tjerë i ka pasur të gjithë PD dhe opozita. Madje Ilir Meta ka qënë përfaqëues i opozitës dhe kaluar opozitës që ishte nën drejtimin e ish kreut të PD, Lulzim Basha. Pqë kronologji, në vitin 1991 presidenti i parë postkomunist u zgjidh Ramiz Alia. Por Alinë e fusim dhe në llogari të PD, jo vetem i të majtëve, pasi vetë kreu i demokratë Berisha deklaroi te Qyteti Studenti me 1991: “Në këtë mes, mirënjohja jonë e madhe shkon, së pari, tek presidenti shoku Ramiz Alia, i cili me një mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë sonë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja për demokratizimin e Shqipërisë”.

Në vitin 1992 u zgjodh president kryetari i PD i asaj kohe Sali Berisha, në vitin 1997 u zgjodh socialisti Rexhep Meidani. Në vitin 2002 kur PS sërish ishte në pushtet u zgjodh me propozimin e PD gjenerali në pension Alfred Moisiu, ndoshta i vetmi president real që ka pasur Shqipëria. Kur erdhi PD në pushtet, në vitin 2007 president u zgjodh ish nënkryetari i PD Bamir Topi, pas tij më 2012 sekretari organizativ i PD e ish ministër i Brendshëm i PD Bujar Nishani. Me PD në pushtet kuptohet.

Me ardhjen e PS në pushtet, presidenti i vendit u zgjodh aktuali, Ilir Meta. Kreu i mazhorancës Edi Rama asokohe deklaroi se Ilir Meta është presidenti më i mirë i opozitës. Kishte gabuar vetëm në shkallën e devotshmërisë së Metës ndaj opozitës, pasi ai i kaloi të gjitha pritshmëritë, duke bërë ato veprime që tashmë janë analizuar jo vetëm në Shqipëri por dhe në Komisionin e Venecias e më gjërë dhe që ia lëshuan përtokë dinjitetin institucionit të kreut të shtetit. Pra gjatë gjithë kësaj kohe është evidentuar një fakt i veçantë: Sa herë që në pushtet ishte PD dhe zgjidhte presidentin dhe kryetarin e KLSH nga radhët e saj, për panelistët dhe opinionistët shqiptarë ishte një normalitet dhe nuk guxonte njeri të bënte asnjë vërejtje. Nëse dyshon ndokush në atë çfarë po themi, le të hyjë në motorin e kërkimit “google” dhe të navigojë, do të gjejë vetëm dy tre kundërshtarë të zgjedhjes së Presidentit nga PS kur ishte në opozitë. Pjesa tjetër e debatit ishte cili emër është më i pranueshëm nga radhët e PD, ka qënë i përlyer me Sigurimin e Shtetit ose jo, pa marrë parasysh asnjë nga kandidaturat e hedhura nga opozita e PS në çdo kohë.

Sa herë mazhoranca socialiste ka “tagrin” për të votuar si shumicë kreun e shtetit, po këta panelistë e opinionistë, një emër nga e majta apo i propozuar nga mazhoranca e majtë, do të quante menjëherë një anormalitet dhe grumbullim pushtetesh nga ana e mazhorancës dhe kryeministrit socialist. Siç po ndodh dhe sot e gjithë ditën! Gjithkush mund t’i thërrasë memories: Kush kishte më shumë pushtete, Berisha kryeministër, me president, kryetar të KLSH, kryetar gjykate e gjykatës, Kryeprokuror e prokurorë të PD-së, apo Fatos Nano e më vonë Edi Rama që kanë pasur vetëm qeverinë, dhe s’kanë pasur as Presidentin, as kreun e KLSH, as krerët e drejtësisë?! Madje tani nën mazhorancën socialiste, Prokuroria dhe Gjykata po dërgon në qeli një nga një ministra dhe zyrtarë socialistë nën akuza për korrupsion, dhe po kjo mazhorancë me kreun e saj, respekton drejtësinë e re, për të cilën ka votuar dhe ka kërkuar pikërisht këtë mënyrë funksionimi për të bërë drejtësi, pa dallim dhe dhënë fund pandëshkueshmërisë në këtë vend. Llogarinë mund ta bëjë gjithkush vetë.

Tashmë është hapur procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit, me gjithë debatet brenda, kandidatët karagjozë dhe faktin që panelistët dhe opinionistët tanë e besojnë dhe vetë argumentin e sforcuar të tyre se PD e ka marrë me “tapi” Presidencën. Duke qënë se opozita është copë copë, të gjithë kundër të gjithëve, duke qënë se binomi Berisha-Meta që e drejtojnë këtë opozitë, e kanë trajtuar postin e kreut të shtetit në mënyrë aspak dinjitoze dhe ia kanë ulur vlerat përtokë, është e udhës që mazhoranca socialiste dhe vetë kryeministri Edi Rama, përtej përpjekjeve të zërave të mbrapshtë, që po tentojnë për ta delegjitimuar këtë proces, duhet të zgjedhin një emër që të rrisë vlerat e postit të kreut të shtetit dhe që i bën nder këtij posti.

Mund të jetë i majtë, i djathtë, i qendrës, me ose pa parti, pasi në fund të herës dhe e dorëzon teserën e partisë që përfaqëson. Por në radhë të parë duhet një figurë me integritet, të jetë figurë e përgjegjshme, që të ketë përgjegjshmërinë e simbolit të unitetit të kombit, përgjegjësinë e barrës që ka mbi supe për t’i dhënë vendit një figurë presidenciale dinjitoze dhe për ta radhitur Shqipërinë të paktën përkrah vendeve të rajonit. PD nuk e ka marrë me “tapi” Presidencën, ndaj përgjegjësia i takon mazhorancës socialiste dhe kryeministrit Edi Rama që t’i japë vendit një president normal. Grua apo burrë, të majtë apo të djathtë, pak rëndësi ka. Të paktën të jetë dyfish më i saktë se Ilir Meta, gjë që gjendet fare lehtë. Ky është një shërbim që mund t’i bëjë vendit kjo mazhorancë me këtë rast.