Nga Afrim Krasniqi/
Brenda pak ditësh Kuvendi i RSH nis procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Koncepti i “zgjedhjes” në rastin e Presidentit është më afër konceptit “emërim” sesa produkt i një gare zgjedhore. Vetëm 28 deputetë mund të propozojnë një kandidat për President dhe këto mandate i kanë vetëm dy grupe, PS dhe PD. Kushtetuta parashikon tre raunde votimi me 84 vota (nga 77 që ka aktualisht mazhoranca) dhe më pas, dy raunde votimi me 71 vota.
Në secilin prej katër raundeve të para mund të ketë kandidatë të rinj në proces, raundi i fundit nuk lejon kandidatë të rinj dhe nëse Presidenti nuk zgjidhet, parlamenti shpërndahet duke kaluar në zgjedhje të parakohshme. Në asnjë nga raundet nuk kërkohen detyrimisht dy kandidatë, madje nuk ka detyrim as të ketë kandidatë, duke e konsideruar raundin e konsumuar edhe kur nuk ka votim e kandidatë. Presidenti i zgjedhur përpara datës 24 maj e merr detyrën më 24 korrik, duke pasur një periudhë dy mujore tranzicioni.
Sistemi ynë zgjedhor për Presidentin nuk lejon vetëkandidimin apo rikandidimin. Mund të ketë individë që duan të zgjidhen Presidentë, por ata mund të legjitimohen vetëm nëse sigurojnë 28 nënshkrime deputetësh, siç mund të ketë Presidentë që duan një mandat të dytë, por nuk kanë mundësi të jenë në garë nëse nuk sigurojnë mbështetje të njëjtë paraprake. Ky sistem është penalizues për garën presidenciale dhe për integritetin e institucionit të Presidentit. Ka vende me sistem të njëjtë parlamentar që i lejojnë Presidentit në detyrë në rikandidojë pa mbështetje paraprake parlamentare ose që mund të ketë kandidatë me numër më të vogël mbështetësish, duke pluralizuar garën për Presidentin.
Sistemi ynë nuk e lejon zgjedhjen e Presidentit direkt nga qytetarët. Alibia refuzuese lidhet me pretendimin se zgjedhja nga populli duhet shoqëruar me rritje të kompetencave të Presidentit. Në fakt, në Evropë, madje edhe në vende fqinje rreth nesh (Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi, Kroacia apo Sllovenia), zgjedhja direkte e Presidentit nuk e ka ndryshuar natyrën parlamentare të shtetit dhe se Presidentët në këto vende kanë kompetenca të njëjta dhe në një rast, më të pakta, sesa Presidenti në Shqipëri. Zgjedhja direkte vetëm sa do ta forconte integritetin e institucionit, lidhjen mes qytetarëve e Presidentit, si dhe konceptin e llogaridhënies dhe përgjegjësisë publike.
Zgjedhja nga parlamenti e dobëson Presidentin dhe siç ka ndodhur në dy raste, ai i është mirënjohës personalisht shefit/shefave të mazhorancës që e kanë përzgjedhur, jo qytetarëve dhe shoqërisë. Zgjedhja direkte do ta dobësonte fuqinë e partive politike dhe të krijonte figura publike me mbështetje, të cilat edhe nëse dështojnë, do të ishin bërthama për lëvizje të reja politike në vend.
Gjatë tri dekadave Shqipëria ka pasur 7 presidentë, 6 të zgjedhur nga mazhoranca e radhës dhe 1 President konsensual. Nga sondazhet e vazhdueshme zgjedhja konsensuale ka refuzuar më e vlerësuara, jo për shkak të formulës sa për shkak të cilësive të Presidentit të zgjedhur. Aktualisht mazhoranca ka deklaruar gatishmëri për bisedime politike, por bisedimet kanë vlerë vetëm në dy raste: kur ajo e ka të pamundur zgjedhjen e Presidentit, jo kur ka 6 vota më shumë sesa kufiri zgjedhor i nevojshëm, si dhe në rastin kur mazhoranca dëshiron të japë një mesazh politik të integritetit institucional, maturimit politik dhe të gjithëpërfshirjes, – cilësi që në politikën shqiptare thuajse deri tani nuk ekzistojnë. Në këto rrethana, me siguri zgjedhja e tanishme e Presidentit do të ndodhë në raundin e katërt, atëherë kur numrat vendosin dhe kur deputetët i frikësohen humbjes së mandateve, pra shpërndarjes së parlamentit.
Cili është modeli i Presidentit që kërkon Shqipëria e sfidat e saj? Krahas kritereve kushtetuese, Presidenti duhet të ketë së paku katër cilësi thelbësore: të njihet për integritetin profesional dhe publik, të jetë promovues i kulturës ligjore dhe kushtetuese, të mos jetë i akuzuar për korrupsion dhe as militant politik, si dhe të gëzojë besim nga partnerët kryesorë perëndimorë, sidomos SHBA dhe BE.
Shqipëria ka me mijëra individë që mund të pretendojnë të emërohen Presidentë, por natyrisht ka vetëm një numër të kufizuar individësh që plotësojnë standarde të tilla. Midis tyre, ata që mund të kenë vëmendjen dhe mbështetjen e mazhorancës mund të jetë së paku 50% më i vogël, ndaj lista emërore mbetet shumë e kufizuar, por e mjaftueshme për një vend të vogël si Shqipëria.
Loja me emrat, gjinitë, skemat, etj, duke kërkuar më të pranueshmin midis militantëve të një partie, apo emra pa përvojë solide të integritetit institucional, vetëm sa e dobëson akoma më shumë procesin dhe besimin publik tek ai.
Presidenti i Republikës nuk mund të jetë një “ministër tjetër” i qeverisë, siç ka ndodhur disa herë në të kaluarën dhe as produkt i pazareve të votave apo dhurimit për shkak të nevojave politike, eksperimente që rezultuan të dështuara.
Shqipëria përballet me sfida të mëdha, ka problem të shumta, ka mosbesim të madh qytetar tek politika e institucionet, shoqëria ndodhet në udhëkryq, ndërkohë që Presidenti i ri do të betohet me hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe në një rend të ri të sigurisë botërore.
Për këto dy motive thelbësore, emri për President/e duhet të reflektojë integritet dhe maturi, procesi duhet të tregojë integritet dhe sens përgjegjësie, procedura parlamentare duhet të respektojë solemnitetin institucional e kushtetues dhe mbi të gjitha Presidenti që na nevojitet duhet të reflektojë atë që Shqipëria duhet të jetë apo synon të jetë, jo atë që Shqipëria ka eksperimentuar, që është apo që nuk ka mundur të jetë.