Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola ka kritikuar ashpër vendet e Bashkimit Europian për ngecjen e procesit të integrimit për Shqipërinë dhe maqedoninë e Veriut.
Në fjalën e saj në konferencën që po mbahet në Sofje e titulluar “BE takohet me Forumin e Ballkanit: Mësimi i Ukrainës, Zgjerimi i BE-së si antidot i luftës”, Metsola u shpreh se BE-ja nuk duhet të shpik kritere të reja për pranimin e vendeve kandidate.
“BE duhet të mendojë për mënyrat për të përshpejtuar procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor sepse stabiliteti në fqinjën e menjëhershme është jetik për vetë stabilitetin e BE-së,” tha Roberta Metsola.
Si shembull, ajo tha se besueshmëria e BE-së u minua nga fakti se vendet anëtare të bllokut ende nuk kanë filluar negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pavarësisht se kanë përmbushur kërkesat e BE-së.
“BE-ja duhet të tregojë qartësi për vendet e Ballkanit Perëndimor sepse ato kanë trokitur në dyert tona për një kohë të gjatë,” tha Metsola.
Ajo kërkoi gjithashtu më shumë hapa për t’i dhënë statusin e kandidatit për Bosnje dhe Hercegovinën pasi “integrimi në BE do t’u sillte atyre një frymëmarrje shumë të nevojshme dhe të pritur për të kapërcyer efektivisht të kaluarën.”